

TIRANË, 12 shkurt 2026 – Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht pas tentativës për grabitje në një bankë të nivelit të dytë në zonën e Rrugës së Kavajës, ku një 58-vjeçar dyshohet se hyri i armatosur dhe qëlloi një herë me armë zjarri në ambientet e brendshme.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:15.
“Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar,” njofton Policia.
Në një video të siguruar nga vendngjarja shfaqet momenti i ndërhyrjes së efektivëve dhe arrestimit të autorit të dyshuar, i cili tenton të largohet nga zona.
“Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit,” thuhet më tej në reagim.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






