

TIRANË, 12 shkurt 2026 – Kryeministri Edi Rama përdori tone ironike në një deklaratë publike lidhur me proceset në sistemin e drejtësisë, duke thënë se “është rasti ideal që të shkojmë të gjithë në paraburgim për shpërdorim detyre”.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se reforma në drejtësi është një proces që “nuk ndalet dhe nuk kthehet pas”, pavarësisht, sipas tij, “surprizave” që vijnë herë pas here nga vetë sistemi.
“Kjo është një përpjekje që nuk ndalet dhe nuk kthehet prapa, pavarësisht surprizave që na bëni herë pas here, por që janë pjesë e jetës dhe e proceseve tuaja të brendshme dhe rritjes së sistemit të ri që kërkon kohën e vet për t’u kolauduar. Për ta mbyllur, ky është rasti ideal, se jeni përfshirë dhe ju tani, që të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre,” deklaroi Rama.
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë debatesh mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë lidhur me vendimmarrje të fundit gjyqësore. Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga përfaqësues të sistemit gjyqësor.
Reforma në drejtësi, e ndërmarrë prej vitit 2016, mbetet një nga proceset kryesore institucionale në vend dhe shpesh ka qenë objekt përplasjesh politike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






