

Në kuadër të operacionit policor të koduar "Jug & Veri", vihen në pranga shtetasit Arben Guçe, Elion Qeva, Fran Pjetra dhe Mark Muraca
ELBASAN – Një grup kriminal i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike dhe armëve, me veprimtari në disa qytete të vendit nga veriu në jug, është goditur nga Policia e Elbasanit në kuadër të një operacioni të gjerë policor të koduar “Jug & Veri”.
Operacioni u finalizua pas disa javësh hetime intensive nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëve:
Arben Guçe, 31 vjeç
Elion Qeva, 29 vjeç
Fran Pjetra, 35 vjeç
Gjithashtu, u ndalua me iniciativë shtetasi Mark Muraca, 31 vjeç, banues në Shkodër, i cili dyshohet se ka vënë në dispozicion automjetin e tij për transportimin e lëndës narkotike.
Sipas hetimeve, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin dhe transportonin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shpërndarjen dhe shitjen në disa qytete të vendit, si dhe trafikimin e saj jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë në unazën e qytetit të Elbasanit, drejtuesi i njërit prej automjeteve, shtetasi A. G., ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe, gjatë tentativës për t’u larguar, ka dëmtuar mjetin e shërbimit policor.
Nga kontrolli i automjetit që drejtohej nga A. G., me pasagjer shtetasin E. Q., u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, së bashku me 32 fishekë luftarakë, e cila dyshohet se do të trafikohej.
Ndërkohë, në automjetin tip “Volkswagen Golf”, me drejtues shtetasin F. P., Policia gjeti dhe sekuestroi 41 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila dyshohet se po transportohej nga Shkodra drejt Elbasanit, me destinacion të mundshëm Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
41 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa
1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak
2 automjete
2 aparate celularë
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






