

Sot janë zhvilluar dy ndeshje tjera në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës në futboll, ku Ballkani dhe Dukagjini kanë siguruar kualifikimin në çerekfinale.
Në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, Ballkani arriti ta eliminojë Prishtinën pas një ndeshjeje tejet dramatike, e cila u vendos vetëm pas serisë së gjuajtjeve të penalltive. Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat të barabartë, 2:2, përkatësisht 3:3, ndërsa pas një serie maratonike nga 11-metërshi suharekasit triumfuan, me rezultat 11:10.
Prishtina e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në sekondën e 50-të me golin e qendërmbrojtësit francez Philippe Boueye. Në pjesën e dytë, epërsia u dyfishua nga Mario Ilievski në minutën e 50-të. Ballkani u rikthye në lojë pas autogolit të Ardian Limanit, në minutën e 77-të, ndërsa barazimi u realizua nga penalltia me anë të Almir Kryeziut, në minutën e 88-të.
Në vazhdime, Ballkani kaloi për herë të parë në epërsi me supergolin e Ivica Batarelos, në minutën e 97-të, por Prishtina reagoi shpejt dhe barazoi në 3:3 përmes Lorik Mehmetit, në minutën e 100-të. Meqë nuk pati gola të tjerë deri në fund, fituesi u përcaktua nga penalltitë, ku futbollistët e Ballkanit u treguan më të saktë.
Ndërkohë, në ndeshjen e zhvilluar gjatë mesditës, Dukagjini i Klinës mposhti Prishtinën e Re, me rezultat minimal 1:0 dhe u kualifikua gjithashtu në çerekfinale. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Hekuran Berisha, në minutën e 58-të, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij.
Dy ndeshjet e tjera të fazës së 1/8 së finales do të zhvillohen të enjten nga ora 13:00, ku do të takohen: Gjilani –Liria, Vushtrria –Vëllaznimi dhe Trepça ’89 –Malisheva. Ndërkaq, më 18 shkurt nga ora 13:00, do të luhet dueli i fundit i kësaj faze ndërmjet Feronikelit 74 dhe Dinamos së Ferizajt.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






