Transmetuar më 11-02-2026, 20:25

Në kulmin e polemikave të kryeministrit Edi Rama me sistemin gjyqësor, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, shpjegon se çfarë ndërmend të bëjë mazhoranca socialiste, kur thotë se do të ndërhyjë te ligjet e Reformës. Në një intervistë për A2, Lamallari tha se vullneti qeveritar për të dhënë më shumë drejtësi për qytetarët është edhe detyrim për të adresuar çështjet që mund të përmirësohen.

“Të mos lëmë pa adresuar me objektivitet çështje si zvarritja e çështjeve gjyqësore, procedimet penale, garancitë ligjore që duhet të ekzistojnë për qytetarët shqiptarë, mekanizmi disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët zvarrisin pafundësisht publikimin e vendimeve të dhëna. Çështje të tjera të ndjeshme si vakancat”.

Për Lamallarin, nevoja për përmirësimin e reformës lidhet drejtpërdrejt edhe me synimin e mbylljes së negociatave me BE-në.

“Nuk ka kuptim që ne të mos adresojmë çështje që vijnë nga ankesat e qytetarëve, në lidhje me drejtësinë që ata marrin”.

Referuar zhvillimeve në Gjykatën Kushtetuese mbi pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, ministri i Drejtësisë konfirmoi nevojën e një ndryshimi ligjor, por nuk dha një përgjigje nëse ndryshimet e njoftuara nga kryeministri Rama do të prekin vetëm Kodin e Procedurës Penale apo edhe Kushtetutën.

“I takon grupit parlamentar socialist të gjejë zgjidhjet e duhura ligjore, cilado qofshin ato, të përshtatshme për të ndarë njëherë e mirë këtë moment. Në këtë moment nuk mund ta them cilat do të ishin ndërhyrjet e nevojshme. Sigurisht, Ministria e Drejtësisë, si për çdo akt që miratohet, i qëndron rolit të vet kushtetues”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit