

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimin e strukturës së pagave për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH).
Vendimi i ri parashikon një rritje të përgjithshme përmes indeksimit, si dhe një rritje shtesë specifike për gradat më të ulëta dhe të mesme.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, pagat e reja do të reflektojnë një indeksim prej 2.5% për të gjithë strukturën. Kush përfiton më shumë?
Përveç indeksimit, qeveria ka aplikuar një politikë të veçantë rritjeje page për punonjësit që mbajnë gradat operacionale. Sipas pikës 2 të vendimit, përfituesit e rritjes (përtej indeksimit) janë gradat:
Asistent zjarrfikës
Zjarrfikës
Kryezjarrfikës
Nënkomisar zjarrfikës
Komisar zjarrfikës
Për gradat e tjera më të larta, vendimi saktëson se do të aplikohet vetëm indeksimi i inflacionit në masën 2.5%.
Ndryshimet hyjnë në fuqi për vitin buxhetor 2026. Fondet për këtë rritje do të përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse qendrore dhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë), përmes transfertës së miratuar në Buxhetin e vitit 2026 dhe të ardhurave të tyre të veta.
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.419, DATË 26.6.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të pikave 1, shkronja “a”, e 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhja nr.1, e vendimit nr.419, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, zëvendësohet me lidhjen me të nëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e elementit “paga për gradë” në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për punonjësit me gradën “Asistent zjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Kryezjarrfikës”, “Nënkomisar zjarrfikës” dhe “Komisar zjarrfikës” si dhe rezultat i indeksimit në masën 2.5% për gradat e tjera.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore përballohen nga transferta e miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
4. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






