

Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë në mbledhjen e saj, ndryshime të rëndësishme në vendimin për pagat e punonjësve të njësive të vetëqeverisjes vendore (bashkive).
Vendimi i ri sjell rritje të kufirit minimal të pagës për punonjësit administrativë dhe aplikon një indeksim të përgjithshëm prej 2.5% për të përballuar inflacionin.
Paga minimale administrative 50.000 lekë
Ndryshimi më i prekshëm është ai i pikës 11 të vendimit të vitit 2023. Sipas VKM-së së re, kufijtë e pagave bazë për punonjësit administrativë të bashkive tashmë janë përcaktuar në fashën: 50.000 – 57.000 lekë në muaj. Kjo shënon një rritje të dyshemesë së pagës për nivelet më të ulëta në administratën lokale.
Kush përfiton nga rritja dhe indeksimi?
Vendimi specifikon se rritja vjen si pasojë e dy faktorëve: politikës së rritjes së pagave dhe indeksimit vjetor.
Rritje + indeksim (2.5%), përfitojnë klasat e pagave III-1 deri në IV-4 (që zakonisht përfshijnë specialistët dhe nivelet ekzekutive të mesme/ulëta) si dhe punonjësit administrative.
Vetëm indeksim (2.5%) përfitojnë klasat e larta drejtuese I-2 deri në II-2 (drejtorë, përgjegjës sektorësh, etj.) dhe kufijtë minimalë/maksimalë të përgjithshëm.
Efektet financiare të këtij vendimi nisin në vitin 2026. Fondet do të mbulohen nga transferta e pakushtëzuar e qeverisjes qendrore (Buxheti i vitit 2026) si dhe nga të ardhurat e veta që mbledhin bashkitë.
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.328, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KLASIFIKIMIN E FUNKSIONEVE, GRUPIMIN E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE, PËR EFEKT PAGE, DHE CAKTIMIN E KUFIJVE TË PAGAVE TË FUNKSIONARËVE TË ZGJEDHUR E TË EMËRUAR, TË NËPUNËSVE CIVILË E TË PUNONJËSVE ADMINISTRATIVË TË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 2, shkronjat “a”, “b” e “ç”, dhe 9, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të neneve 54 e 77, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore janë nga 50 000 – 57 000 lekë në muaj.”.
b) Lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7 dhe nr.8, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat e:
a) kufijve maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat III-1, III-2, III-3, IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, dhe vlerat e pikës 11, të ndryshuar, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave;
b) kufijve minimalë e maksimalë në lidhjet nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%;
c) kufijve minimalë e maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat I-2, I-3, I-4, I-5, II-1 dhe II-2, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
4. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






