Transmetuar më 11-02-2026, 16:16

Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është përfshirë në një konflikt të hapur juridik mes aksionerëve, me kompaninë zviceriane MABCO, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, që paralajmëron dërgimin e çështjes në arbitrazh ndërkombëtar.

Në një konferencë për mediat, përfaqësuesit e MABCO deklaruan se, ndonëse zotërojnë 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare, aktualisht janë përjashtuar nga çdo e drejtë vendimmarrjeje, pas dy vendimeve për sigurim padie nga Gjykata e Shkallës së Parë. Sipas tyre, kjo situatë përbën një “shpronësim faktik” me vendim gjykate.

Konflikti lidhet me një kontratë të pretenduar për transferimin e 47% të kuotave tek ortaku minoritar 2A Group, i cili aktualisht zotëron 2% të aksioneve. Sipas MABCO, vendimet gjyqësore kanë pezulluar të drejtën e votës për 98% të kuotave, duke i lënë jashtë kontrollit mbi projektin.

Këshilltarja e kompanisë, Ornela Çuçi, deklaroi se MABCO ka investuar rreth 18 milionë euro nga fondet e veta, si dhe ka garantuar me asetet e saj kredinë prej 57 milionë eurosh të marrë nga shoqëria koncesionare pranë një banke të nivelit të dytë. Ajo ngriti shqetësime edhe për sigurinë e aeroportit, duke theksuar nevojën për një auditim të pavarur nga kompania ndërkombëtare SGS për certifikimin e standardeve teknike dhe të sigurisë.

Avokati i kompanisë, Ervin Metalla, e cilësoi pezullimin e të drejtës së votës për aksionerin mazhoritar si një precedent të rrezikshëm për sigurinë juridike të investimeve strategjike. Sipas tij, nëse Apeli nuk shqyrton çështjen në kohë, kompania rrezikon të mbetet e “shpronësuar de facto”.

Nga ana tjetër, drejtori juridik i Mabetex në Zvicër, Korab Troplica, akuzoi ortakun minoritar për marrje të njëanshme të kontrollit të administrimit të shoqërisë dhe për mungesë transparence në zhvillimin e mbledhjeve të asamblesë.

Sipas MABCO-s, nëse situata nuk zgjidhet në rrugë gjyqësore brenda vendit, çështja mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, me pasoja të mundshme financiare për shtetin shqiptar, duke qenë se projekti realizohet në kuadër të një kontrate koncesionare.

Në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit, çështja e Aeroportit të Vlorës mbetet një test i rëndësishëm për klimën e investimeve dhe sigurinë juridike të projekteve strategjike në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit