Transmetuar më 11-02-2026, 15:24

Agjencia e Punësimit e Kosovës ka njoftuar rritjen e subvencionit mujor për punësimin e të rinjve nga 170 euro në 300 euro, në kuadër të skemës “Kosovo Generation Unlimited”. Vendimi ka hyrë në fuqi nga viti 2026 dhe synon të nxisë përfshirjen më të madhe të të rinjve në tregun e punës.

Skema zbatohet nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me UNICEF dhe Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) dhe ka për qëllim lehtësimin e hyrjes së të rinjve në treg përmes praktikave të subvencionuara dhe bashkëpunimit me sektorin privat.

Sipas njoftimit zyrtar, rritja e subvencionit për praktikë në punë nga 170 në 300 euro synon të ofrojë mbështetje më të madhe financiare për bizneset që angazhojnë të rinj, si dhe të motivojë hapjen e vendeve të reja të punës.

“Nga ky vit, skema Kosovo Generation Unlimited rrit subvencionin mujor për praktikë në punë nga 170€ në 300€. Më shumë mbështetje për bizneset, më shumë motivim për punësimin e të rinjve dhe më shumë ndikim real në tregun e punës”, thuhet në njoftim.

Agjencia e Punësimit thekson se kjo masë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e papunësisë tek të rinjtë, duke u krijuar atyre mundësi për të fituar përvojën e parë profesionale. Të rinjtë e interesuar mund të aplikojnë pranë zyrave më të afërta të punësimit, ndërsa përparësi do të kenë ata që kërkojnë punë për herë të parë.

Rritja e subvencionit përkon me ndryshimet në pagën minimale në Kosovë, e cila nga 1 janari 2026 është përcaktuar në 425 euro bruto dhe pritet të arrijë në 500 euro në fazën e dytë të zbatimit gjatë verës.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, norma e papunësisë tek të rinjtë mbetet mbi 25%, ndërsa më shumë se 17 mijë të rinj janë të regjistruar si punëkërkues aktivë në Agjencinë e Punësimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit