

Detyrimet e papaguara vendore deri në fund të vitit 2014 do të falen plotësisht, në zbatim të ligjit nr. 86/2025. Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore e Bashkisë Tiranë ka sqaruar kategoritë përfituese, periudhat kohore dhe kushtet për faljen e principalit, gjobave dhe kamatëvonesave.
Sipas njoftimit zyrtar, për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirje e plotë e principalit, si për taksat vendore, ashtu edhe për detyrimet në tatime dhe dogana.
Për periudhën 2015–2019, subjektet përfituese do të duhet të paguajnë 50% ose 75% të detyrimit kryesor, ndërsa të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat do të falen. Kjo skemë aplikohet për bizneset dhe qytetarët pronarë të njësive tregtare.
Ndërsa për vitet 2020–2024, falja e gjobave dhe kamatëvonesave do të bëhet vetëm nëse paguhet i plotë detyrimi kryesor brenda afatit 31 dhjetor 2026.
Drejtoria thekson se nga ky ligj nuk përfitojnë subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, apo që janë në proces gjyqësor ose hetim penal për vepra në fushën tatimore dhe/ose doganore.
Ligji nr. 86/2025 parashikon të njëjtat afate dhe kushte edhe për detyrimet e papaguara në tatime dhe dogana, duke synuar lehtësimin e barrës financiare për individët dhe bizneset, si dhe rritjen e arkëtimeve përmes formalizimit të detyrimeve të prapambetura.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






