

Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se gjatë protestës së djeshme, nuk pati asnjë polic të lënduar, përkundrazi, disa efektivë u dërguan në spitale vetëm për të “plotësuar skenarin” e qeverisë.
“Faqja e zezë e këtij skenari ishte loja me barrela dhe policë. Siç e patë ju, u hodh gaz mbi vetë policët dhe i futën në ambulanca, si të asfiksuar. Mbrëmë shkova vetë tek Spitali i Traumës – aty nuk kishte asnjë problem. Pesë policë që shkuan aty nuk u regjistruan dhe u kthyen siç kishin ardhur. Nuk kishte asnjë polic të plagosur apo të gërvishtur. Gjithçka ishte skenar,” tha Berisha.
Ai shtoi se qeveria kishte përpjekur të manipulojë informacionin, duke dhënë komunikata të rreme për policët e dërguar në dy spitale, ndërkohë që protestuesit paqësorë ishin qëlluar me plumba.
Berisha u shpreh mirënjohje për mediat vendore dhe ndërkombëtare që ndoqën protestën minutë pas minute, duke theksuar se ky është një kapitull i ri i kryengritjes paqësore të shqiptarëve kundër “narkodiktaturës” së qeverisë. Ai paralajmëroi se 20 shkurti do të shënohet si dita e shqiptarëve për të marrë çlirimin e tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






