

Nga foltorja e selisë blu, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për reagime të “tmerruara” ndaj protestës së Partisë Demokratike dhe për ndjekje të padrejtë penale ndaj disa drejtuesve opozitarë.
Berisha deklaroi se ndërkohë që Belind Këlliçi, nën hetim për protestën e djeshme, po ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke drekuar me një kandidat për Kongresin nga komuniteti shqiptaro-amerikan në Miçigan, autoritetet shqiptare njoftuan ndjekjen e tij penale.
“Kuptojeni se çfarë mashtruesish ordinerë dhe të turpshëm janë. Ata nuk morën asnjë informacion, vetëm kanë vendosur t’i dërgojnë për ndjekje penale,” u shpreh Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke përmendur keqtrajtimin me gaz ndaj disa drejtuesve të PD-së si Flamur Noka, Ervin Minarolli dhe Klevis Balliu.
Berisha e përshkroi reagimin e Ramës si të një “narkoqeveritarit të tmerruar” dhe e krahasoi fjalorin e tij me atë të dajos së tij xhelat në vitin 1990, duke e cilësuar si një përdorim të gjuhës dhune ndaj popullit.
Ai përfundoi duke theksuar se shqiptarët do t’i japin “ndëshkimin e merituar” autorëve të këtyre veprimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






