Transmetuar më 11-02-2026, 12:35

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, mbajti një konferencë për mediat lidhur me protestën e Partisë Demokratike të mbajtur dje, e cila u karakterizua nga tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Koçiu theksoi se gjatë protestës janë përdorur të mitur për të hedhur sende të forta dhe molotovë ndaj efektivëve, duke e cilësuar këtë si një akt të turpshëm dhe të dënueshëm. Ajo paralajmëroi se autorët e këtyre veprimeve do të ndëshkohen maksimalisht sipas ligjit.

“Përpjekja për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet dhe duke përdorur të mitur për të hedhur molotovë apo sende të forta, është akt i dënueshëm dhe i papranueshëm. Keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale dhe shkelje morale,” tha Koçiu.

Ministrja vuri gjithashtu në dukje se protestat e PD-së janë braktisur nga qytetarët dhe se në to marrin pjesë kryesisht “militantë dhe elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore”. Ajo e akuzoi kreun e PD-së, Sali Berishën, si “dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues”.

Koçiu theksoi se e drejta për të protestuar nuk përbën një justifikim për të ushtruar dhunë, për të tentuar gjymtimin ose vrasjen e policëve. Autorët e akteve kriminale dhe urdhëruesit e fshehur pas imunitetit do të ndiqen penalisht dhe do të përballen me ndëshkimin maksimal sipas ligjit.

Ministrja gjithashtu shprehu solidaritetin për punonjësit e policisë të plagosur dhe vlerësoi profesionalizmin e forcave të rendit, duke theksuar se vetëpërmbajtja e tyre garanton sigurinë e qytetarëve dhe respektimin e ligjit, pavarësisht provokimeve të dhunshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit