Transmetuar më 11-02-2026, 10:17

Dimal, 11 shkurt 2026 – Dy subjekte në Dimal, ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të dyshuara si të kontrabanduara, janë zbuluar nga Policia, ndërsa një person është vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Operacioni i koduar “Çmontimi” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Beratit. Aksioni erdhi pas kontrolleve dhe hetimeve me fokus goditjen e aktiviteteve ekonomike në informalitet dhe tregtimin e produkteve të kontrabanduara.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. D., 30 vjeç, banues në Dimal, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi R. S., 31 vjeç, banues në Kuçovë.

Gjatë kontrolleve në serviset dhe subjektet për shitje pjesësh automjetesh në pronësi të tyre, u gjetën 55 automjete në njërin subjekt dhe 13 në tjetrin, pjesërisht të çmontuara. Sipas Policisë, për këto mjete nuk disponoheshin dokumente blerjeje apo dokumentacion doganor.

Automjetet dyshohet se janë kontrabanduar kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit