Transmetuar më 11-02-2026, 08:39

Nga Feroleto della Chiesa në Shqipëri: historia e Domenico Surace, karabinieri i kolonës Gamucci i pushkatuar në vitin 1943

Një histori e mbetur për dekada në harresë sugjerohet se del sot në dritë: ajo e Domenico Surace, karabinier italian nga Feroleto della Chiesa (Reggio Calabria), i cili dyshohet se u pushkatua në Shqipëri më 4 nëntor 1943, së bashku me mbi njëqind karabinierë të tjerë të kolonës Gamucci, nga partizanët vendas, pas Kaosit të Armëpushimit të 8 shtatorit.

Media italiane raporton se nga një hulumtim i kryer për vite të tëra sipas tyre kanë arritur të zbulojnë se 101 punonjës policie italianë, pjesë e pushtuesve fashistë të mbërritur në Shqipëri, janë vrarë nga partizanët shqiptarë si përgjigje për pushtimin e vendit tonë.

Surace ishte vetëm 28 vjeç, bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve, ndërsa një i katërt ishte në pritje. I thirrur sërish në shërbim me hyrjen e Italisë në luftë, ai u detyrua të linte familjen dhe punën bujqësore në vendlindje për të veshur uniformën e karabinierit.

Letra prekëse që i dërgonte bashkëshortes së tij, Teresa Papasidero, është dëshmi e një dashurie të thellë dhe e një shprese që nuk u realizua kurrë.

Për dekada me radhë, familja mori vetëm një përgjigje zyrtare: “i zhdukur pas 8 shtatorit 1943”. Një mister që mbeti pa zgjidhje deri vite më vonë, kur u zbulua e vërteta tragjike: Domenico Surace ishte ekzekutuar në Shqipëri, në kuadër të një reagimi ndaj karabinierëve italianë që nuk arritën të largoheshin nga territori shqiptar në atë periudhë kaotike.

E vërteta u soll në dritë pas punës shumëvjeçare të Antonino Magagnino, ish-marshall i Armatës së Karabinierëve dhe autor i librit “Foiba di Kremenar e l’eccidio della Colonna Gamucci”, botuar në vitin 2022. Libri, i bazuar në dokumente dhe dëshmi të drejtpërdrejta, rindërton me saktësi një faqe të errët të historisë, përfshirë vrasjen e karabinierëve italianë në Shqipëri.

Historia e Suraces është rrëfyer së fundmi edhe nga nipi i tij, Domenico Surace, i ftuar në studiot e Reggino.it, i cili tregon se familja e mësoi të vërtetën vetëm pak vite më parë. “Pas 20 vjet kërkime, Magagnino i dha familjes sonë një përgjigje që iu mohua për dekada,” thotë ai, duke theksuar se babai i tij, Francesco, djali i madh i Domenicos, nuk arriti kurrë të kuptonte plotësisht çfarë kishte ndodhur me të atin.

Sot, kujtimi i Domenico Suraces ruhet me emocion edhe nga vajza e tij Stella, tashmë 88 vjeçe, dhe nga mbesa Maria Teresa, të cilat tregojnë për një baba e gjysh të dashur, për një nënë të fortë që i rriti fëmijët e vetme dhe për një pritje të gjatë, të mbushur me shpresë e dhimbje.

Ngjarja e 4 nëntorit 1943 mbetet një nga episodet më pak të njohura të historisë së pasluftës, pjesë e një tragjedie më të gjerë që përfshiu mijëra italianë të përndjekur, të vrarë ose të zhdukur në territoret e pushtuara gjatë regjimit fashist.

***

Gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, flitej shumë dhe me krenari për luftën e partizanëve ndaj okupatorëve fashistë dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj tyre dhe pasqyroheshin në shumë filma dokumentarë dhe artistikë që tregonin ekzekutimin e shumë pushtuesve italianë dhe gjermanë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit