Transmetuar më 11-02-2026, 08:26

Trupat e familjes Kola nisen sot drejt Shqipërisë për tu prehur në atdhe, raporton noa.al duke cituar mediat italiane.

Trupat e pajetë të Artit, Jonidës, Hajdarit dhe Xhesikës nisen drejt Shqipërisë, ku do të prehen përfundimisht dhe ku do të zhvillohet ceremonia mortore, sipas dëshirës së familjarëve.

Në shenjë nderimi dhe solidariteti, sot në orën 09:00, në sheshin “Felice Orsi”, qyteti i Porcarit do të mblidhet për t’u përkulur para viktimave. Kryetari i bashkisë ka shpallur zi qytetare, duke ftuar institucionet dhe qytetarët të marrin pjesë në homazhe.

Ngjarja e rëndë në Rughi ka tronditur thellë komunitetin lokal, i cili në këto orë po shpreh dhimbjen dhe mbështetjen për familjarët, ndërsa nis udhëtimi i fundit i familjes Kola drejt vendlindjes.

U mblodhën shpejt fondet e nevojshme

Janë mbledhur 76 mijë euro brenda pak ditësh për të mbuluar shpenzimet funerale dhe riatdhesimin në Shqipëri të trupave të pajetë të familjes Kola.

Arti, Jonida, Hajdar dhe Xhesika humbën jetën në Porcari, më 4 shkurt, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, një tragjedi që tronditi thellë jo vetëm zonën e Lucca-s, por edhe familjarët e tyre në Shqipëri.

Nisma për mbledhjen e fondeve u ndërmor nga Durim Kola, vëllai i Artit, përmes platformës GoFundMe, ku në pak ditë u bashkuan 1.880 donatorë, duke dhënë një shembull të fortë solidariteti.

“Fondet që do të mbeten pas mbulimit të shpenzimeve do të përdoren për të ndihmuar familjarët e tyre”, ka sqaruar organizatori i fushatës, duke theksuar se ndihma do të shkojë drejtpërdrejt për të afërmit e viktimave.

Ngjarja ka lënë pas një dhimbje të madhe dhe një komunitet të bashkuar në solidaritet përballë një humbjeje të rëndë njerëzore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit