

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, mbrëmjen e së martës ishte në Repartin e Djegieve, për të parë nga afër, së bashku me Ministren e Punëve të Brendshme, znj. Albana Koçiu, punonjësit e Policisë të dëmtuar gjatë protestës së PD.
Duke dhënë një prononcim për median, ai ka falënderuar punonjësit e Policisë "për profesionalizmin, sakrificën, durimin dhe maturinë e treguar".
“Falënderim për të gjithë punonjësit e Policisë për profesionalizmin që kanë treguar dhe vetëm Zoti e di sa krenar jam për ta, për atë që ata bëjnë çdo ditë dhe për vetëpërmbajtjen dhe qytetarinë e tejskajshme që treguan sot, në kundërshtim me atë me të cilën u përballën, e cila ishte shenjë e një barbarie ekstreme", tha Proda duke përdorur tone të ashpra për veprimet e disa protestuesve.
Drejtori i Përgjithshëm bëri dhe një thirrje për distancimin e të miturve, si dhe foli për hetimet mbi përfshirjen e tyre në incidente të dhunshme.
"Ne, në vazhdimësi, kemi bërë thirrje që të miturit të distancohen. Do të nxjerrim përgjegjësitë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe besoj se edhe në vijim do të kemi qëndrime për këto situata."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






