

Aksident fatal në fqinjin përtej detit, humb jetën një 32-vjeçar pas përplasjes me kamion mbeturinash
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë e marta e 10 shkurtit përgjatë rrugës Porrettana, në zonën e Marzabottos, ku ka humbur jetën një 32-vjeçar.
Viktima është identifikuar, ai është Leonard Fjora, që shihni në foto, banues në Marzabotto, raporton noa.al. I ndjeri ishte nga Fushë Kruja, Durrës.
I ndjeri po udhëtonte me automjetin e tij Volkswagen Lupo drejt Lama di Reno, kur rreth orës 01:00 të mëngjesit u përfshi në një përplasje fatale.
Sipas hetimeve të para të kryera nga karabinierët e Casalecchio di Reno, i riu dyshohet se ka tentuar një parakalim për të kaluar automjete që ndodheshin përpara tij.
Gjatë manovrës, makina e tij u përplas ballë për ballë me një kamion të grumbullimit të mbetjeve të kompanisë Hera, i cili po lëvizte në kahun e kundërt.

Si pasojë e përplasjes, automjeti doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët. 32-vjeçari mbeti i bllokuar brenda makinës dhe humbi jetën në vend. Në aksident u përfshi edhe kamioni, ndërsa shoferi i tij pësoi vetëm lëndime të lehta.

Në vendngjarje ndërhynë dy ekipe zjarrfikësish, të mbështetura nga një autobot, të cilët shuan flakët dhe siguruan zonën. Shërbimet mjekësore të urgjencës 118 konstatuan vdekjen e viktimës, ndërsa karabinierët kryen veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe dinamikën e aksidentit.

Operacionet e shpëtimit dhe pastrimit të rrugës përfunduan pas neutralizimit të mjetit të djegur dhe vënies në siguri të karrexhatës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






