

Përçarje në aleancën franko-gjermane mbi projektin për ndërtimin e një avioni të ri luftarak, FCAS. Parisi dhe Berlini po përpiqen të shmangin një ndarje traumatike, dhe Merz po shqyrton mundësinë e bashkimit me konsorciumin me Italinë, Japoninë dhe Britaninë e Madhe.
Projekti më i madh ushtarak i Bashkimit Europian, i njohur si FCAS (Future Combat Air System), që synonte ndërtimin e një avioni luftarak të gjeneratës së gjashtë nga Franca, Gjermania dhe Spanja, po shkon drejt kolapsit. Lajmi raportohet nga Politico, i cili ka folur me diplomatë dhe zyrtarë të mbrojtjes nga disa vende europiane.
FCAS u lançua në vitin 2017 nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, si simbol i autonomisë strategjike europiane në fushën e mbrojtjes. Projekti parashikonte krijimin e një sistemi, ku avioni kryesor do të ishte i lidhur përmes një rrjeti digjital komandimi (combat cloud) me dronë, satelitë dhe sisteme të tjera luftarake.
Megjithatë, që nga fillimi, projekti është përballur me konflikte të thella industriale dhe politike, kryesisht mes kompanisë franceze Dassault Aviation dhe gjigantit europian Airbus, me bazë në Gjermani. Mosmarrëveshjet për ndarjen e punës, kontrollin teknologjik dhe vendimmarrjen strategjike kanë çuar në bllokim të vazhdueshëm të projektit.
Burime pranë presidentit Macron kanë thënë për Politico se një shpallje zyrtare e përfundimit të FCAS është tani më e mundshme sesa një rilançim. Një deputet francez që merret me çështjet e mbrojtjes është shprehur hapur se projekti është i vdekur, por se askush nuk dëshiron ta pranojë publikisht.
Situata u tensionua edhe më shumë, pasi doli në dritë se kancelari aktual gjerman Friedrich Merz ka nisur të shqyrtojë alternativa të tjera për nevojat ushtarake të Gjermanisë.
Gjatë një takimi italo-gjerman më 23 janar, Merz ka pyetur kryeministren italiane Giorgia Meloni mbi mundësinë që Gjermania t’i bashkohej projektit rival GCAP, i cili zhvillohet nga Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia. Sipas raportimeve, Italia ka shprehur interes ndaj kësaj ideje.
Pas përhapjes së këtyre informacioneve, presidenti Macron i ka shkruar personalisht Merz-it për të kërkuar sqarime, sipas gazetës franceze Le Parisien. Parisi po përpiqet në minutën e fundit të mbajë gjallë projektin FCAS, pasi një dështim do të ishte një goditje serioze për besueshmërinë e bashkëpunimit ushtarak europian.
Politico raporton se Berlini po shqyrton disa skenarë, përfshirë ndarjen e zhvillimit të avionit në projekte kombëtare ose daljen e plotë nga FCAS. Një opsion tjetër është që Gjermania të ruajë vetëm pjesën më inovative të projektit, të ashtuquajturin combat cloud, duke hequr dorë nga ndërtimi i vetë avionit. Ndërkohë, vonesat janë bërë kronike. Konsorciumi kishte premtuar një vendim për të ardhmen e projektit deri më 17 dhjetor, por afati u tejkalua. Tani pritet që një përgjigje të vijë brenda javëve të ardhshme, ndoshta deri në fund të shkurtit.
Një kalim i mundshëm i Gjermanisë drejt GCAP do të ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, duke forcuar projektin e udhëhequr nga Britania dhe duke dobësuar ndjeshëm ambiciet franceze. Interes për GCAP kanë shfaqur edhe vende të tjera, përfshirë Arabinë Saudite, gjë që do të zgjeronte aleancën ushtarake, por do të sillte edhe debate politike.
Franca dhe Gjermania po përpiqen të shmangin një përplasje të hapur, veçanërisht në një moment kur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve nuk janë të mira. Megjithatë, pas më shumë se një viti ngecje, duket se një vendim përfundimtar për fatin e FCAS është i pashmangshëm./Corriere della Sera
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






