

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ishte sonte në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT.
Ajo tha se shkoi tu gjendej "pranë punonjësve të Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur nga molotovët e hedhur në mënyrë barbare drejt tyre".
"Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38, Enesi 21, Klevi 27, Bledari 27. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën molotovë, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, çdo gjë me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës", tha Koçiu dhe shtoi:
"Dua ta them qartë! Ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda.
Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje.
Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa element kriminal të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






