

Monopoly: Historia e panjohur e lojës më të famshme në botë
Monopoly është sot një nga lojërat e tavolinës më të njohura dhe më të shitura të të gjitha kohërave. Por pas zarëve, pronave dhe kartëmonedhave, fshihet një histori shumë më komplekse nga sa mendohet zakonisht.
Në fund të vitit 1932, një mbrëmje në Filadelfia do të shënonte një kthesë vendimtare. Biznesmeni Charles Todd dhe bashkëshortja e tij, Olive, ftuan për vizitë miqtë e tyre Charles dhe Esther Darrow dhe u prezantuan një lojë tavoline që po qarkullonte atë kohë mes miqsh. Loja nuk kishte ende emër zyrtar, nuk shitej në kuti dhe nuk kishte rregulla të shtypura. Të gjithë e quanin thjesht “the monopoly game”.
Çifti Darrow u magjeps menjëherë. Aq shumë, sa Todd u përgatiti një tabelë loje dhe nisi t’u shpjegonte rregulla më të avancuara. Pak më vonë, Charles Darrow – i papunë dhe në vështirësi financiare – i kërkoi Todd-it një kopje të shkruar të rregullave. Por Todd nuk i kishte shkruar kurrë.
Arsyeja ishte e thjeshtë: loja nuk ishte shpikur prej tij. Rregullat e saj kishin lindur në Uashington, që në vitin 1903, nga një grua progresiste dhe e guximshme, Elizabeth Magie.
Elizabeth Magie kishte krijuar një lojë të quajtur “The Landlord’s Game” (Loja e Pronarit), me qëllim edukues dhe social. Ajo synonte të shpjegonte teorinë ekonomike të Henry George, sipas së cilës pasuria, nëse lihet pa kontroll, përfundon gjithmonë në duart e një pakice, duke krijuar pabarazi ekstreme. Loja ishte një kritikë ndaj monopoleve dhe një mjet për të nxitur mendimin social dhe ekonomik.
Me kalimin e viteve, loja e Magie u përhap, u modifikua dhe u përshtat nga njerëz të ndryshëm. Vetë Elizabeth e patentoi një version të rishikuar në vitin 1924. Ndërkohë, variante të shumta qarkullonin në mënyrë joformale në SHBA.
Në vitin 1935, Charles Darrow patentoi Monopoly-n dhe ia shiti lojën vëllezërve Parker, duke u kthyer në milioner. Emri i tij u lidh për dekada me shpikjen e lojës, ndërsa kontributi i Elizabeth Magie u la pothuajse në harresë.
Vetëm shumë vite më vonë, studiues, historianë dhe juristë filluan të nxirrnin në dritë historinë e vërtetë. Në vitet ’70, profesori Ralph Anspach, gjatë një beteje ligjore kundër Parker Brothers dhe kompanisë së tyre mëmë, General Mills, zbuloi dokumente dhe fakte që provonin origjinën reale të lojës. Ai i përmblodhi këto kërkime në librin “The Billion Dollar Monopoly Swindle”, i ribotuar më vonë si “Monopolygate”.
Sot, kompania Hasbro, që zotëron markën Monopoly, njeh zyrtarisht vetëm rolin e Charles Darrow. Megjithatë, historia e Elizabeth Magie është tashmë e dokumentuar dhe e pranuar nga studiuesit si themeli mbi të cilin u ndërtua loja.
Historia e Monopoly-t ngre një pyetje thelbësore: kush meriton të marrë meritat për një shpikje dhe pse shpesh historia kujton vetëm një emër? Siç thotë edhe shprehja e vjetër, “suksesi ka shumë prindër, por kujtojmë vetëm njërin” – dhe shumë rrallë nënat e tij. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






