
Apartamenti i stilistit të famshëm italian Giorgio Armani në Nju Jork ka dalë zyrtarisht në treg, me një çmim prej 10 milionë dollarësh.
Bëhet fjalë për një apartament mbi 180 metra katrorë, i ndodhur në Madison Avenue, në zonën luksoze Upper East Side të Manhatanit, ku Armani nuk ka jetuar kurrë në mënyrë të përhershme. Rezidenca në numrin 760 të asaj që njihet si “rruga e luksit” është vetëm një nga dhjetë pronat që kanë qenë në pronësi të stilistit.
Sipas mediave amerikane, apartamenti është projektuar personalisht nga vetë Giorgio Armani. Ndodhet në katin e gjashtë dhe përfshin dy dhoma gjumi, dy banjo dhe një tualet miqsh. Dyshemeja është e shtruar me parket prej lisi të bardhë amerikan, ndërsa tavanet, mbi tre metra të larta, dhe dritaret e mëdha ofrojnë pamje mbresëlënëse të panoramës së qytetit.
Kuzhina e banesës është e pajisur me sipërfaqe pune prej guri të lëmuar dhe pajisje elektroshtëpiake luksoze.

Foto: DBOX
Një ashensor gjysmë-privat hapet drejtpërdrejt në një korridor që të çon në një sallon prej mbi 46 metrash katrorë.
Shpenzimet mujore të mirëmbajtjes arrijnë në 6.695 dollarë dhe përfshijnë akses në palestër, spa dhe një lounge me tarracë. Banorët e apartamentit kanë gjithashtu në dispozicion një sallë çaji Zen, me shërbim catering nga restoranti Armani. /noa.al

Foto: Krisztina Crane at Evan Joseph Studio
Foto qendrore: Getty
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






