

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shkuar tek Urgjenca, aty ku është transportuar deputeti i PD, Bledion Nallbati, i cili mbeti i lënduar gjatë protestës së të martës.
Berisha u shpreh se sulmi ndaj tij ka qenë pa asnjë shkak dhe personal.
“Sulm personal ndaj tij pa asnjë shkak. Banditët kanë shkuar dhe e kanë goditur.
Po shkoj në Urgjencë te Nallbati”, tha Berisha teksa doli nga selia.
Berisha pasi takoi deputetin demokrat në spital, tha se Nallbati është goditur nga Sokol Bizhga me urdhër të Edi Ramës.
“Bledion Nallbati ka një hematomë në indet e buta dhe sipas protokollit të spitalit do të qëndrojë në observim për një kohë të caktuar për të parë nëse do të ketë pasojë të vonshme nga goditja apo jo. Njëkohësisht, mësohet se urdhërdhënësi është krimineli më i damkosur Sokol Bizhga.
E garantoj Sokol Bizhgën, që e goditi deputetin me urdhër të Ramës, që do të ketë përgjegjësi deri ditën e fundit të tij. Bizhga është njeriu që i është djegur kolegu në makinë dhe ja ka mbathur. Ky është i pafytyri Sokol Bizhga.
Ai duhet të ishte dekada më parë në burg, por sot drejton policinë. Ky është Sokol Bizhga që mban sot Edi Rama. Ai është krimineli që ka zbatuar urdhrin e Edi Ramës. Sokol Bizhga është njeriu që shpirti i Gjergj Mehmetit do ta ndjekë edhe në varr kur të shkojë”, tha Berisha.
Ndërkohë në një njoftim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se deputeti është në gjendje stabël. Po ashtu theksohet se 14 efektivë kanë mbetur të plagosur.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






