Transmetuar më 10-02-2026, 20:56

Deputeti i PD-së Bledion Nallbati dërgohet me urgjencë në Spitalin e Traumës pas protestës para Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës pas përplasjeve të ndodhura sot mes protestuesve dhe forcave të policisë para godinës së Kuvendit.

Sipas njoftimit zyrtar të Partisë Demokratike, deputeti ka pësuar dëmtime në kokë dhe është shoqëruar drejt spitalit nga kolegët e tij për ndihmë mjekësore.

Nga protestat e sotme raportohet gjithashtu se kanë mbetur të lënduar edhe tetë efektivë të policisë.

Fotot: Bledion Nallbati gjatë përplasjes me policinë (fotot noa.al)

Tubimi u shoqërua me tensione, ku pati hedhje sendesh piroteknike dhe objekte të forta, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

Situata para Kuvendit u karakterizua nga momente të forta tensioni dhe ndërhyrje e shtuar e forcave të sigurisë.

Berisha: Goditja e deputetit Nallbati nga Rama, urdhri u ekzekutua nga krimineli Sokol Bizhga

"Deputeti, deputeti Bledion Nallbati ka një hematomë në indet e buta dhe sipas protokollit të spitalit do të qëndrojë në observim për një kohë të caktuar për të parë nëse do ketë pasoja të tjera nga goditja, pasoja të vonshme quhen nga goditja apo jo. Por, njëkohësisht mësohet se urdhërdhënësi është krimineli i damkosur Sokol Bizhga, njëri nga figurat më të urryera dhe kriminelët më të damkosur me uniformë në Republikën e Shqipërisë.

E garantoj Sokol Bizhgën, i cili e goditi deputetin me urdhër të, me urdhër të Edi Ramës, se do ketë përgjegjësi gjer ditën e fundit të tij. Ky akt i shëmtuar. Sokol Bizhga është një nga, është njeriu, njeriu që i ka djegur kolegun makinë, që ta dini ju, dhe e ka mbathur kur banditat në Sarandë kanë djegur Genc Memetin.

Ky është i pafytyri Sokol Bizhga që duhet të ishte, duhet të ishte dekada në burg dhe tani komandon policinë. Një hero, një, një guximtar i vërtetë u dogj nga bandat në makinë dhe Sokol Bizhga shpëtoi. Ja, ky është Sokol Bizhga që e mban Edi Rama. E ka apo s’e ka atë, valin gjë nuk e di, se s’mund të them se mund të mos jenë gjë, mund të jetë koincidencë mbiemra. Por, por, Sokol Bizhga është krimineli që ka zbatuar sot urdhrin e Edi Ramës. Është goditur."

noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit