Transmetuar më 10-02-2026, 19:14

Tiranë, 10 shkurt 2026 – Protesta kombëtare e opozitës, e zhvilluar mbrëmjen e sotme para godinës së Kryeministrisë, u shoqërua me tensione dhe akte dhune, duke krijuar skena kaotike në përfundim të tubimit.

Protesta, e thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, nisi në mënyrë paqësore, me fjalime nga përfaqësues të opozitës dhe me pjesëmarrjen e qindra mbështetësve nga Tirana dhe rrethe të ndryshme të vendit. Kulmi i tubimit u shënua nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha.

Pas përfundimit të fjalimit, një pjesë e protestuesve hodhën molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke shkaktuar flakë dhe tym në perimetrin përreth. Pamjet nga vendngjarja tregojnë përdorimin e mjeteve piroteknike dhe objekteve zjarrvënëse, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të mbajtur nën kontroll situatën.

Berisha u pa në podium duke tundur flamurin kombëtar në momentet e fundit të protestës, ndërkohë që tensionet u përshkallëzuan përpara godinës qeveritare. Policia kishte ngritur më herët perimetrin e sigurisë dhe ishte e pranishme me forca të shumta përreth Kryeministrisë.

Deri në këto momente, nuk ka njoftime zyrtare për persona të lënduar apo dëme të konsiderueshme materiale. Autoritetet pritet të reagojnë me një komunikatë zyrtare lidhur me incidentet dhe masat e marra.

Kjo ishte protesta e tretë kombëtare e opozitës në kuadër të aksionit kundër qeverisë, ku kërkohet, mes të tjerash, dorëheqja e kryeministrit, mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe garantimi i shtetit ligjor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit