Transmetuar më 10-02-2026, 18:39

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nisur fjalën e tij para protestuesve në tubimin kombëtar të opozitës, duke e cilësuar situatën aktuale si një nga më alarmantet që ka përjetuar vendi që prej rënies së komunizmit.

Berisha deklaroi se protesta po zhvillohet në një moment kritik për Shqipërinë, duke theksuar se qytetarët janë mbledhur në atë që ai e quajti “kryengritje paqësore”. Ai solli në vëmendje rëndësinë e kujtesës historike, duke paralajmëruar se harresa e së shkuarës sjell përsëritjen e saj.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së u ndal te periudha e diktaturës komuniste, duke e cilësuar regjimin e Enver Hoxhës si një nga më represivët dhe duke theksuar se krimet e asaj kohe u mohuan shqiptarëve 45 vite jetë dhe zhvillim. Ai kritikoi përpjekjet, sipas tij, për rehabilitimin e regjimit komunist, duke e cilësuar Enver Hoxhën si një armik të egër të shqiptarëve.

Berisha theksoi se, ndonëse Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri natyrore, tradita dhe një popull të vendosur, ajo ka vuajtur nga qeverisje që kanë sjellë pasoja të rënda për kombin. Ai paralajmëroi se, sipas tij, në këtë shekull vendi po përballet me pasoja edhe më të rënda, të cilat po ndodhin me një shpejtësi më të madhe se në të kaluarën.

“Qytetarë dhe qytetare të mbarë Shqipërisë, zhvillimet e ditëve të fundit bëjnë që ne të mblidhemi sot në këtë shesh në kushte ndër më alarmantet. Ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësore, në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit. Ndaj dhe më duhet të nis këtë fjalë me një shprehje që sot tingëllon më aktuale, më e rëndësishme se kurrë. Ata që harrojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë. Miqtë e mi, Shqipëria është një vend i bekuar se kemi njëri-tjetrin, ja ku jemi këtu, një det i madh luftëtarësh, guximtarësh, njerëz të vendosur t’i dalim zot Shqipërisë. Shqipëria është një vend i bekuar prej pasurive përrallore që Zoti i ka dhuruar asaj, jemi të bekuar për traditat tona të mrekullueshme të mbartura gjeneratë pas gjenerate. Mirëpo nëse Shqipëria është e bekuar me popullin e saj e pasuritë e saj, nuk mund të mohohet se ne kemi qenë apo kemi përjetuar mallkime në një farë mënyre ne kemi përjetuar dhe provuar armiq të egër të pamëshirshëm ndaj nesh, që padyshim i kanë sjellë dëmet më serioze kombit tonë. Kurrë nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën e Enver Hoxhës, krimet që kreu ajo ndaj shqiptarëve. Të gjitha këto i vodhën shqiptarëve 45 vite jetë, gati gjysmën e shekullit të kaluar. Asnjë nuk ka dyshime, ndonëse sot ka përpjekje për rehabilitimn e atij regjimi nga bijtë bastardë të saj. Se Enver Hoxha ka qenë një armik i egër, Hitleri shqiptar i pas luftës së dytë botërore. Ky armik i egër na qeverisi për 45 vite pavarësisht krimeve të tij. Po sot çfarë po ndodh me Shqipërinë? Nëse shekullin e kaluar u mbajtëm peng 45 vite, në këtë shekull me një shpejtësi krejt tjetër Shqipëria përballet me pasoja akoma më katastrofike”, tha Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit