

TREVIZO – Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane pasi dyshohet se kishte kthyer dhomën e gjumit të apartamentit ku jetonte në një laborator për përpunimin dhe paketimin e kokainës.
Operacioni u zhvillua në zonën Vittorio Veneto, në provincën e Trevizos, ku Karabinierët e Njësisë Operative dhe Mobile, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesë, sekuestruan rreth 1 kilogram kokainë, peshore precize, materiale për paketim si dhe 36 mijë euro para cash, në kartëmonedha me prerje të ndryshme.
Sipas autoriteteve, apartamenti ishte përshtatur për prerjen dhe ndarjen e dozave të drogës, duke u kthyer në një laborator të vogël funksional. Këto prova u konsideruan të mjaftueshme për arrestimin e të riut nën akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimi.
Mediat italiane raportojnë se hetimet kishin nisur prej disa javësh, pasi policia kishte konstatuar lëvizje të pazakonta të sasive të mëdha të kokainës në zonën e Coneglianos. Sipas burimeve hetimore, droga dyshohet se shpërndahej te klientë me fuqi të lartë blerëse, përfshirë sipërmarrës, profesionistë dhe studentë nga familje të pasura.
Karabinierët kishin intensifikuar kontrollet në zonat më të frekuentuara të jetës së natës përgjatë bregut të majtë të lumit Piave, duke mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim lëvizjet e të dyshuarit, furnizuesit dhe kontaktet e tij.
Arrestimi u krye të premten në mëngjes, ndërsa një ditë më pas gjyqtari konfirmoi masën e sigurisë. Aktualisht, 24-vjeçari ndodhet në arrest shtëpie, në pritje të përfundimit të hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






