Transmetuar më 10-02-2026, 11:36

KOSOVË – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur për të mërkurën, më 11 shkurt 2026, seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas njoftimit të Presidencës, vendimi është marrë pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, duke marrë parasysh urgjencën për krijimin e institucioneve të reja, miratimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta thërrasë më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.

Sipas të dhënave të certifikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, ose 15 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, duke siguruar gjashtë mandate.

Sa i përket ulëseve të rezervuara për komunitetin serb, nëntë mandate i ka fituar Lista Serbe, ndërsa një mandat i takon Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit