Transmetuar më 10-02-2026, 11:26

GREQI – Një ngjarje e rëndë familjare u shënua pasditen e së hënës në Elefsina të Greqisë, ku një grua 71-vjeçare humbi jetën pasi u përplas aksidentalisht nga automjeti që drejtohej nga vajza e saj.

Sipas mediave greke, shoferja 44-vjeçare ishte kthyer në banesë së bashku me nënën dhe fëmijët e saj, pasi më herët kishte shkuar në shkollë për t’i marrë. Gjatë përpjekjes për të parkuar automjetin, 71-vjeçarja zbriti nga makina për t’i dhënë udhëzime vajzës.

Mësohet se dera e pasagjerit mbeti e hapur dhe, gjatë manovrës mbrapa, shoferja shtypi aksidentalisht pedalin e gazit. Automjeti lëvizi në mënyrë të pakontrolluar, duke e zvarritur gruan e moshuar dhe duke e bllokuar atë mes derës së hapur të makinës dhe një peme.

Ngjarja ndodhi para syve të nipërve dhe mbesave të viktimës, të cilët shpërthyen në lot, ndërsa fqinjët, të alarmuar nga britmat, nxituan për të ndihmuar. Vajza e viktimës ndodhej në gjendje shoku.

71-vjeçarja u transportua me ambulancë nga shërbimi EKAB drejt Spitalit Thriasio, ku fatkeqësisht u konstatua vdekja e saj. Autoritetet greke arrestuan 44-vjeçaren nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit