

"Eurovision? Ka shumë mënyra për të protestuar, përfshirë edhe prezantimin e një kënge si kjo"
/Yll i vogël, yll/nata po afrohet/Një lutje nuk mjafton/që mendja të qetësohet/Nga kodra presim pranverën/Por ajo që ishte nuk është më/Sepse ti s’je më këtu/asgjë s’përgjigjet më aty/
Ermal Meta po përgatitet për rikthimin e madh në Sanremo dhe për publikimin e albumit të tij të gjashtë, “Funzioni Vitali”, një projekt i fortë emocionalisht, pa kompromise dhe pa “anestezi” për dhimbjen që trajton.
Një nga këngët më të ndjera të albumit është një ninullë e trishtë, e fokusuar mes rrugëve të shkatërruara të Gazës – pa e përmendur kurrë drejtpërdrejt emrin – “mes mureve dhe detit”.
Me një sfond muzikor mesdhetar dhe oriental, të pasuruar nga tingujt e oud-it (ide e mikut dhe bashkëpunëtorit të hershëm Dario Dardust, me të cilin Meta do të realizojë edhe një duet), kënga rrëfen vdekjen e padrejtë të një fëmije palestinez. Një vajzë e vogël pa emër e pa fytyrë, vetëm me duar që pak orë më parë mbanin fort një kukull.
Në një intervistë që citon noa.al, Meta shpjegon zgjedhjen e tij artistike:
“E di që mund të kisha shkruar për shumë gjëra të tjera. Shumë miq më sugjeruan, duke qenë se jam bërë baba, të shkruaja një këngë për vajzën time. Por ka momente kur është e rëndësishme të flasësh edhe për fëmijët e të tjerëve, ose më saktë, për fëmijët e të gjithëve. Ajo që po ndodh në Palestinë është nën sytë e të gjithëve: është diçka jashtëzakonisht e rëndë, një emergjencë, një katastrofë humanitare.”
Ai thekson se nuk synon të bëjë politikë me këngët e tij, por të flasë nga një këndvështrim thellësisht njerëzor:
“Nuk dua ta zbukuroj dhimbjen, nuk dua ta maskoj.”
Këtë e pasqyrojnë edhe vargjet e këngës: “U përpoqa ta shkëpus zemrën / sepse pa të nuk vdes / por pata frikë se mos nuk ndjeja më asgjë.”
Përvoja e të qenit baba
Vajza e tij Fortuna lindi në vitin 2024, si dhe dy vajza të tjera të adoptuara në një jetimore në Shqipëri – ka ndikuar thellë në ndjeshmërinë e tij njerëzore dhe artistike: “Empatia rritet. Kur zemra zgjerohet dhe lëkura bëhet më e hollë, filtrojnë gjëra të tjera.”
Edhe pse kënga lind nga tragjedia e Gazës, Meta e bën të qartë se ajo flet për të gjithë fëmijët viktima të luftërave:
“Fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e çmendurisë së të rriturve. Dhe mos bëjmë gabimin ta quajmë ‘luftë’ atë që po ndodh në Gaza, sepse nuk është luftë, është masakër.”
Në lidhje me Eurovision-in dhe format e protestës, Meta kujton historinë e Shqipërisë nën diktaturë, ku protestimi i hapur ishte i pamundur dhe heshtja apo bojkotimi ishin forma rezistence. “Ka shumë mënyra për të protestuar: heshtja, bojkotimi, ose të jesh i pranishëm dhe të thuash mendimin tënd. Me mesazhin që ka kjo këngë, do të ishte gabim të mos isha aty.”
Albumi “Funzioni Vitali”, që publikohet më 27 shkurt, është një udhëtim mes kujtimeve, përditshmërisë dhe botës bashkëkohore – nga xhinset Levi’s të konsumuara te dronët, nga tokat e largëta te pjatat e thjeshta si “spageti në të bardhë”. Një rrëfim i thellë, me kërkim muzikor dhe ndjeshmëri të shtuar.
Pas Sanremos, Ermal Meta do ta sjellë repertorin e ri në turneun “Live 2026 – Club”, që nis më 29 prill në Perugia dhe do të vijojë në qytete të mëdha italiane. Ai do të jetë gjithashtu Maestro Concertatore i Notte della Taranta. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






