Transmetuar më 10-02-2026, 08:29

Në lagjen Bushwick të Nju Jork është vendosur një instalacion publik artistik që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. Vepra, me titull “Wall of Tears” (Muri i Lotëve), paraqet emrat e 18.457 fëmijëve të vrarë në Gaza nga tetori i vitit 2023 deri në korrik 2025.

Instalacioni është realizuar nga artisti dhe fotografi amerikan Phil Buehler dhe është vendosur në një gardh në adresën 12 Grattan Street, duke u shtrirë në një gjatësi rreth 15 metra. Sipas autorit, emrat janë mbledhur mbi bazën e të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza dhe janë verifikuar edhe nga burime mediatike ndërkombëtare, përfshirë një raportim të Washington Post në vitin 2024.

Emrat janë renditur kronologjikisht, ndërsa gjinia është dalluar me dy nuanca të ndryshme ngjyre. Për foshnjat e vrara para se të mbushnin një vit, është shënuar treguesi “<1”. Regjistrimi përfundon në korrik 2025 dhe synon të funksionojë si një memorial publik për viktimat më të pafajshme të konfliktit.

Art si kujtesë publike

Phil Buehler, i rritur në Bronx, është i njohur për instalacione publike me përmbajtje sociale dhe politike. Në të kaluarën ai ka realizuar projekte që lidhen me fëmijët ukrainas të rrëmbyer nga forcat ruse, si dhe dokumentime fotografike nga Ferguson pas vrasjes së Michael Brown. Ndryshe nga veprat e tij të mëparshme me karakter kritik politik, “Wall of Tears” është konceptuar si një memorial i heshtur për humbjet njerëzore.

Instalacioni është realizuar në bashkëpunim me Radio Free Brooklyn dhe do të qëndrojë i ekspozuar publikisht deri më 15 shkurt.

Rasti i Hind Rajab

Vendosja e veprës përkoi me përvjetorin e dytë të vrasjes së pesëvjeçares Hind Rajab, e cila humbi jetën më 29 janar 2024, pasi u qëllua nga ushtria izraelite ndërsa ndodhej në makinën e familjes së saj. Rasti i saj kishte shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, pas publikimit të një audio-incizimi me thirrjet e saj të fundit për ndihmë drejtuar Kryqit të Kuq.

Mes mijëra emrave të shënuar në pankartë ndodhet edhe fotografia e Hind Rajab, si dhe fotografi të fëmijëve të tjerë, të shpërndara mes listave të emrave.

“Të shohim atë që nuk duam të shohim”

Në deklarata për Hyperallergic, Buehler tha se qëllimi i veprës është të sjellë në hapësirën publike të dhëna që tashmë ekzistojnë, por që shpesh mbeten të padukshme për publikun e gjerë. Sipas tij, arti ka fuqinë të bëjë njerëzit të përballen me realitete të dhimbshme.

Ai ka paralajmëruar se do të ftojë zyrtarë lokalë në një aktivitet pranë instalacionit dhe citon shpesh shkrimtarin James Baldwin: “Roli i artistit është t’i bëjë njerëzit të ndërgjegjësohen për gjërat që nuk i shohin.”

“Disa nuk duan të shohin”, shprehet Buehler. “Nëse kjo vepër ndihmon qoftë edhe pak për të hapur sytë ose mendjet e dikujt, atëherë ka arritur qëllimin.”

* Me informacion nga: Hyperallergic, Foto kryesore: Instagram @pwbuehler

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit