Transmetuar më 10-02-2026, 08:25

Pothuajse dy të tretat e qytetarëve në Gjermani vlerësojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë një kërcënim të madh për paqen botërore në vitet e ardhshme, sipas një sondazhi përfaqësues që tregon një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2024.

Sondazhi, i realizuar nga Instituti Allensbach për llogari të Qendrës për Strategji dhe Lidership të Lartë, tregon se 65% e të anketuarve përmendën SHBA-në si vendin që, sipas tyre, paraqet kërcënimin më të madh për paqen globale. Një vit më parë, i njëjti tregues ishte 46%, raporton noa.al, ndërsa në vitin 2024 vetëm rreth 24% e gjermanëve e konsideronin SHBA-në kërcënim për paqen botërore.

Çfarë mendojnë për Rusinë

Rusia mbetet vendi që perceptohet si kërcënimi kryesor nga shumica e gjermanëve. Që prej pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, mes 75% dhe 82% e të anketuarve e kanë cilësuar Rusinë si kërcënimin më të madh për paqen globale; në sondazhin e fundit ky tregues është 81%.

Sa gjermanë e shohin të mundshme përfshirjen e vendit në luftë

Në pyetjen nëse Gjermania mund të përfshihet në një luftë në vitet e ardhshme, vetëm 3% e konsiderojnë këtë shumë të mundshme, ndërsa 28% e shohin si të mundshme. Nga ana tjetër, 40% mendojnë se përfshirja në luftë është e pamundur dhe 5% shumë e pamundur, ndërsa 24% u shprehën se nuk e dinë ose nuk u përgjigjën.

Sondazhi u zhvillua në të gjithë Gjermaninë nga 6 deri më 19 janar, në një kampion prej 1.077 qytetarësh gjermanë të moshës 16 vjeç e lart.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit