

SHKUP – Një aksion antidrogë në shkallë të gjerë po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut, i udhëhequr nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Aksioni synon hetimin e keqpërdorimeve të mundshme në sektorin e kultivimit të kanabisit mjekësor.
Hetimet u intensifikuan pas sekuestrimit të pesë tonëve marihuanë në Serbi, për të cilat u ngritën dyshime se mund të kishin origjinë nga Maqedonia e Veriut. Sipas Prokurorisë, procedurat hetimore po zhvillohen në koordinim të plotë me institucionet kompetente, ndërsa po merren në pyetje dëshmitarë për mbledhjen e provave relevante.
“Procedurat po zhvillohen në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese, me qëllim sqarimin e plotë të rastit dhe informimin me kohë të opinionit publik”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sekuestrimet janë kryer në Shkup dhe në rajonin e Strumicës. Në Shkup janë sekuestruar mbi 9 ton marihuanë dhe rreth 1.300 shishe vaj kanabisi nga një person juridik, ndërsa në rajonin lindor të vendit janë sekuestruar mbi 31 ton marihuanë nga subjekte të tjera juridike.
Nga gjithsej 60 licenca të dhëna për kultivimin e kanabisit mjekësor, 16 prej tyre janë revokuar për shkak të keqpërdorimeve të konstatuara. Aktualisht, autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka persona të dyshuar apo të arrestuar në lidhje me këtë rast.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se nuk ka të dhëna që droga e sekuestruar në Serbi të ketë origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar çdo lidhje të mundshme mes sasisë së madhe të kanabisit të sekuestruar dhe subjekteve të dyshuara, ndërsa rezultatet pritet të bëhen publike pas përfundimit të procedurave hetimore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






