Transmetuar më 09-02-2026, 19:25

Duke folur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, Lideri i opozitës deklaroi se nesër nuk protestohet vetëm kundër qeverisë, por për të mbrojtur ëndrrën e shqiptarëve për integrim, e cila sipas tij po rrezikohet nga ‘organizata kriminale’ në pushtet.

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve, që të dalin nesër në shesh për protestën masive. Duke folur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, Lideri i opozitës deklaroi se nesër nuk protestohet vetëm kundër qeverisë, por për të mbrojtur ëndrrën e shqiptarëve për integrim, e cila sipas tij po rrezikohet nga ‘organizata kriminale’ në pushtet.

Gjithashtu Berisha ftoi edhe policinë që t’i bashkohet protestës më 10 shkurt, duke theksuar se nesër është një ditë e madhe për të ardhmen, prosperitetin dhe lirinë e vendit.

"A ka krim më të shëmtuar se ky? Një popull që vuajti shekuj, një popull që njohu regjimet më çnjerëzore, varfëritë më ekstreme, një popull që priti dhe pret me padurimin më të madh si arritjen e jetës së këtij kombi integrimin në BE, t’ia mbyllim derën tani për vjedhjet që ka bërë Edi Rama, për vjedhjet që ka bërë organizata e tij kriminale. Jo, kurrë.

Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush, para shqiptarëve se asgjë në botë nuk do mund të pengojë qytetarët e këtij vendi pa hedhur në Lanë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e hajdutëve, qeverinë anti-shqiptare, qeverinë anti-europiane. Miq, pra nesër është një ditë e madhe. Është një ditë e shqiptarëve për Europën. Është një ditë e shqiptarëve për të ardhmen e tyre. Është një ditë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre, për begatinë e tyre, për lirinë e tyre.

Në qoftë se, ne shpallim solemnisht para shqiptarëve se për opozitën, integrimi në BE është e ardhmja më e shkëlqyer, sepse ne besojmë se integrimi do të thotë qytetarë më të lirë, qytetarë më të mëkëmbur, qytetarë më të sigurt, Shqipëri më e zhvilluar. Asgjë nuk na ndan ne nga kjo rrugë.

Ndaj dhe nesër ftoj qytetarët e Tiranës, këtij qyteti të bekuar, të dalin të gjithë në shesh. Ftoj shqiptarët të bashkohen, të ngremë zërin tonë, zëri ynë të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën se asgjë nuk na shkëput nga qëllimi ynë", tha Berisha

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit