

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e çon Shqipërinë drejt izolimit europian, duke vënë interesat personale mbi shtetin e së drejtës dhe integrimin në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij në protestën e radhës të mbajtur të hënën në mbrëmje, Berisha deklaroi se qeveria aktuale ka humbur çdo legjitimitet dhe është produkt i asaj që ai e quajti “farsë elektorale” dhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Sipas tij, protestat janë të ligjshme dhe të domosdoshme përballë një qeverie që, sipas tij, vjedh qytetarët dhe ka varfëruar shqiptarët gjatë 13 viteve të fundit.
Berisha u shpreh se Shqipëria sot ka pagat dhe pensionet më të ulëta në rajon, ndërsa gjysma e popullsisë ndodhet në varfëri ose në rrezik varfërie, duke shtuar se mijëra shqiptarë po largohen nga vendi si pasojë e keqqeverisjes.
Në fokus të fjalimit të tij që citon noa.al, ishte edhe çështja e integrimit europian. Berisha tha se Rama, në përpjekje për të mbrojtur korrupsionin dhe aferat e qeverisë, ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës. Ai deklaroi se pak ditë më parë kryeministri ishte ftuar në Bruksel për të diskutuar pikërisht çështje që lidhen me shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve dhe ndëshkimin e korrupsionit.
“Para se të nisej për në Bruksel, Rama së bashku me Lubinë mblodhën grupin parlamentar dhe, në një sfidë të hapur ndaj çdo standardi demokratik, i dërguan Europës mesazhin se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, ky qëndrim përbën një rrezik serioz për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe tregon se qeveria është e gatshme të sakrifikojë interesat kombëtare për të shmangur përballjen me drejtësinë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






