Transmetuar më 09-02-2026, 18:41

Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se qeveria do të ndërmarrë ndryshime ligjore për të mbrojtur kabinetin qeveritar dhe funksione të tjera kushtetuese nga masat e pezullimit nga detyra të vendosura nga SPAK. Ky qëndrim vjen pas vendimit të Gjykata Kushtetuese, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Rama bëri të ditur se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut nuk do të trajtohet me urgjencë në Kuvend, duke deklaruar se ajo do të shtyhet “në kalendat greke”, pasi sipas tij nuk ekziston domosdoshmëri ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Deklaratat u bënë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe, sipas Ramës, bazohen në leximin e deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku, ndërkohë që vendimi i plotë i saj ende nuk është zbardhur.

“Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga anëtarët e qeverisë deri te Presidenti i Republikës, nuk mund të pezullohen nga askush, sepse pezullimi paralizon institucionin që ata drejtojnë”, shkroi Rama në platformën X.

Ai theksoi se mazhoranca nuk do të shprehet në Kuvend për kërkesën e SPAK për një masë të re sigurie arrest me burg ose arrest në shtëpi ndaj Ballukut, e cila është marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera me vlera qindra milionë euro.

Sipas kryeministrit, SPAK mund të vijojë hetimet pa pengesa edhe pas pezullimit nga detyra të Ballukut, ndërsa trajtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit mund të presë deri në adresimin ligjor të situatës. Ai shtoi se ky qëndrim nuk cenon pavarësinë e SPAK, por synon të ruajë balancën dhe pavarësinë e pushteteve legjislativ dhe ekzekutiv.

Gjykata Kushtetuese vendosi të premten të rrëzojë kërkesën e Ramës kundër vendimit të GJKKO që pezullonte Ballukun nga funksionet administrative. Vendimi u mor pas një mbledhjeje maratonë prej rreth 10 orësh, ku gjyqtarët u ndanë 4 me 4, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së.

Ndërkohë, që prej dhjetorit, opozita kërkon me ngulm, por kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka refuzuar të thërrasë Këshillin e Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK lidhur me heqjen e imunitetit të Ballukut.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit