

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke i cilësuar ato si një devijim serioz nga misioni i drejtësisë dhe në shërbim të narrativës së rreme serbe për luftën në Kosovë.
Në reagimin e saj, PDK vlerëson se në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit u dëshmua qartë se procesi ka tejkaluar kufijtë e një gjykimi të zakonshëm dhe po shndërrohet në përpjekje për deformimin e së vërtetës historike, duke e paraqitur luftën çlirimtare të popullit të Kosovës si projekt kriminal.
Sipas PDK-së, krimet e rënda të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe aparati shtetëror i Serbisë, përfshirë krime kundër njerëzimit, spastrim etnik dhe gjenocid, janë të dokumentuara gjerësisht nga mekanizma ndërkombëtarë të drejtësisë dhe nga faktet historike. “Është fakt i ditur që Serbia ishte agresore dhe populli i Kosovës ishte viktimë”, thekson reagimi.
Partia nënvizon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor i lindur nga nevoja për rezistencë ndaj një regjimi shtypës dhe gjenocidal dhe se ajo përfaqësonte përgjigjen e domosdoshme përballë dhunës shtetërore dhe mohimit të çdo rruge tjetër për liri.
PDK thekson se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës, çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës. Sipas reagimit, kjo qasje synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri, gjë që u reflektua edhe përmes kërkesave për dënime të cilësuara si absurde dhe politike.
Po ashtu, PDK e konsideron të papranueshme përpjekjen për ta ndërlidhur shpalljen e pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se pavarësia është një akt politik i njohur ndërkombëtarisht dhe i mbështetur në të drejtën universale të popujve për vetëvendosje.

Në përfundim, Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon bindjen e saj të plotë në pafajësinë e çlirimtarëve dhe në legjitimitetin e luftës së UÇK-së, duke theksuar se çdo përpjekje për kriminalizimin e saj përbën rishkrim të historisë dhe cenim të themeleve të shtetit të Kosovës. “Liria nuk është krim dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon reagimi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






