

VLORË – Një operacion i thelluar hetimor i Policisë së Vlorës ka çuar në parandalimin e një ngjarjeje shumë të rëndë, e cila dyshohet se ishte në fazë përgatitjeje.
Pas informacioneve operative dhe kontrolleve të shpejta në terren, janë zbuluar dhe sekuestruar dy automjete të dyshuara të vjedhura, si edhe lëndë djegëse, të fshehura në një zonë rurale të qytetit.
Sipas burimeve zyrtare, të dielën më 8 shkurt 2026, strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në disa akse rrugore dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe, pasi dyshohej se dy automjete po përdoreshin për realizimin e një akti kriminal të rëndë.
Gjatë kontrolleve, në një sipërfaqe ullishteje në Babicë e Madhe, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të fshehura dy automjete me targa të huaja, konkretisht një “Nissan” dhe një “Audi Q5”, si dhe tre bidona me lëndë djegëse (benzinë).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se mjetet dhe materialet e gjetura do të përdoreshin për një ngjarje shumë serioze, ndaj ndërhyrja e Policisë ka qenë vendimtare për parandalimin e saj. Automjetet dhe provat e tjera materiale janë sekuestruar dhe po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.
Grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e personave të përfshirë në këtë plan kriminal.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






