

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se është njoftuar zyrtarisht nga përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë për zhvillimin e një tubimi ditën e nesërme, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.
Në një njoftim zyrtar, Policia sqaron se me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit dhe respektimin e ligjit “Për tubimet”, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Në kuadër të këtij plani masash, Policia e Tiranës njofton se do të ketë kufizime të qarkullimit rrugor në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit:
Duke nisur nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.
Nga ora 15:00 e ditës së nesërme e deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia thekson se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimesh, janë parashikuar devijime të qarkullimit përmes rrugëve alternative, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.
Në përfundim, Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset e bllokuara, të përdorin rrugë alternative dhe të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cënojë rendin dhe sigurinë publike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






