

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.
Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, të marrë më 17 qershor të vitit të kaluar, duke e bërë vendimin përfundimtar. Në vijim, pritet që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të bëjë përpjekje për të ekzekutuar përmes policisë, urdhër-arrestin për Memollën.
Përveç dënimit me burg, Gjykata ka vendosur edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Si pasojë e këtij vendimi, Bashkia e Rrogozhinës pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla
Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Vendimi i Apelit konfirmon dënimin e dhënë në janar 2025 nga GJKKO, duke e bërë atë të formës së prerë. Si pasojë, ndaj Memollës pritet të ekzekutohet dënimi me burg, ndërsa është lëshuar edhe urdhër-arrest, pasi ai nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore.
Sipas hetimeve të SPAK, Memolla ka ndikuar te shtetasi Blerim Xhamani, elektricist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që ky i fundit të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Po ashtu, SPAK ka provuar komunikime mes Memollës dhe Xhamanit lidhur me premtime për punësime në Bashkinë Rrogozhinë në këmbim të votës.
Në të njëjtin proces, Blerim Xhamani është dënuar me 1 vit burg, pasi u shpall fajtor për veprat penale “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “falsifikim dokumentesh”. Sipas SPAK, ai, së bashku me Isuf Toskun, kanë falsifikuar procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi energjia nuk ishte ndërprerë realisht.
Edhe Ndriçim Tafxhafa është dënuar me 1 vit burg për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, pasi akuzohet se i ka premtuar një shtetaseje shlyerjen e detyrimeve ndaj OSHEE-së dhe strehim, në këmbim të votës në favor të një kandidati në zgjedhjet e pjesshme.
Ndërkohë, Isuf Tosku është dënuar me 8 muaj burg, por ekzekutimi i dënimit është pezulluar dhe ai është vendosur në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Hetimet ndaj Memollës dhe tre të pandehurve të tjerë nisën në nëntor 2023, kur Prokuroria e Posaçme i dërgoi ata për gjykim për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh.
Dënimet minimale të dhëna për krimet zgjedhore kanë ngjallur reagime nga shoqëria civile. Organizata Qëndresa Qytetare i cilësoi këto raste si “prova e zjarrit për SPAK”, duke theksuar se përdorimi i burimeve publike për përfitime elektorale ndalohet me ligj, por zbatimi i tij mbetet sfidues.
Nga ana e saj, SPAK ka mbrojtur dënimin e kërkuar, duke sqaruar se masa prej 1 viti burg është vendosur në përputhje të plotë me rrethanat konkrete të veprës penale dhe kuadrin ligjor në fuqi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






