

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të kalojë për gjykim çështjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 të tjerëve.
Seanca e parë u zhvillua më 29 shtator 2025, por u shty për mungesë të avokatit mbrojtës. Pjesë e shtyrjeve të mëtejshme ishin edhe seancat e 10, 21 dhe 28 tetorit, kur Veliaj ndryshoi avokatët që e përfaqësuan gjatë hetimit paraprak dhe masës së sigurimit personal, duke zgjedhur më pas avokatin Artan Gjermëni.
Seancat e 12 dhe 17 nëntorit, si dhe ato të 2 dhe 12 dhjetorit, u shtynë për t’i dhënë kohë avokatëve të përgatisnin kërkesat e tyre dhe konsultimin me të pandehurin. Në janar të këtij viti, seanca e 5 dhe 19 janarit u shtyn për të njëjtat arsye. Seanca e 2 shkurtit u shty për shpalljen e vendimit, e cila u bë publike sot.
Sipas Nenit 332 të Kodit të Procedurës Penale, “Gjykata vendos mbi kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të saj”.
Kryebashkiaku Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se së bashku me bashkëshorten, Ajola Xoxa, kanë ndërtuar një skemë të ndërlikuar korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e Bashkisë së Tiranës dhe nga ryshfete nga kontraktorë të ndryshëm.
Sipas SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij dyshohet se kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






