Transmetuar më 09-02-2026, 12:14

Kryeministri Edi Rama ka vendosur ti japë fund një herë e mirë pasigurisë që i është krijuar me pezullimin e Ballukut, duke shpallur sot ndërhyrje në legjislacion.

Ai paralajmëroi ndryshime përmes ndërhyrjes në legjislacion, me qëllim që siç tha ai, ti pritet rruga fenomeneve që çuan në pezullimin përfundimtar të Belinda Ballukut.

Belinda Balluku, edhe pse ka një mori akuzash për afera korruptive, në skandalet e tenderëve të rrugëve, nuk e dha dorëheqjen për t’i hapur rrugën hetimit të mëtejshëm nga SPAK.

Rama, deklaroi se mesditën e sotme mblodhi Grupin Parlamentar për të trajtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të zv.kryeministres Balluku.

Ai njoftoi se grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion, pa dhënë detaje si do të funksionojë kjo.

Megjithatë duket se ndryshimet synojnë kufizime në kompetencat e prokurorëve dhe gjyqtarëve jo vetëm të SPAK, por edhe të prokurorive të tjera, raporton noa.al.

Shefi i qeverisë në deklaratën e sotme siguroi se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë Ballukun edhe pse aktualisht qeveria nuk ka asnjë zëvendëskryeministër.

"Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton", thotë Rama duke nënkuptuar kështu se Balluku mbetet krahu i djathtë i tij.

Por çdo të bëhet me kërkesën për arrestim të Ballukut? Rama e ka përgatitur planin dhe për këtë. Ai nuk do ta mbledhë Këshillin e Mandateve dhe për rrjedhojë Ballukut nuk mund ti hiqet imuniteti.

Ndaj Rama ka vendosur ta shtyjë pa afat këtë proces, kur thotë se "deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit".

Vendimi i Ramës për të ndërhyrë në legjislacion vjen pak ditë pasi në Serbi, Parlamenti atje i kontrolluar nga Vuçiç, kaloi ndryshime në ligjet kryesore gjyqësore, të propozuara nga një deputet i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet (U. Mrdić). Kritikët në Serbi thonë se këto ndryshime, të miratuara shpejt dhe pa konsultime publike, do të kufizojnë pavarësinë e gjykatave dhe prokurorëve; dobësojnë kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe do të rikthejnë në prokuroritë nga të cilat ishin transferuar përkohësisht 11 nga 20 prokurorët që aktualisht punojnë në Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar (TOK), prokuroria homologe e SPAK-ut tonë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit