Transmetuar më 09-02-2026, 10:56

HAGË – Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar dënimin me gjithsej 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë seancës, prokurorja West tha se kërkesa për dënim nuk ka të bëjë me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si strukturë, por me përgjegjësinë individuale sipas saj të të akuzuarve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe shqiptimin e një dënimi të vetëm prej 45 vitesh burg, bazuar në kontributin individual të secilit prej të pandehurve – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – në krimet e kryera”, deklaroi prokurorja.

Ajo pretendoi se bëhet fjalë për krime të rënda, të cilat përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke nënvizuar se “këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së vijon në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa pritet që mbrojtja të paraqesë qëndrimet e saj lidhur me kërkesën e Prokurorisë.

E PLOTË

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Prokuroria kërkon nga 45 vjet burg për secilin

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur të hënën, më 9 shkurt 2026, faza e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të akuzuar nën pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë fjalës përfundimtare, Prokuroria e Specializuar kërkoi dënim unik prej 45 vjetësh burg për secilin prej të akuzuarve. Prokurorja Kimberly West deklaroi se, sipas provave dhe dëshmive të paraqitura gjatë gjykimit, mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë keqtrajtuar në dhe rreth 50 qendrave të ndalimit që, sipas saj, kontrolloheshin nga UÇK-ja.

West tha se Prokuroria nuk po kërkon dënim për një strukturë kolektive, por për individë konkretë, duke pretenduar se secili prej të akuzuarve mban përgjegjësi ligjore për krimet e pretenduara. Ajo shtoi se faktet, provat dhe jurisprudenca mbështesin një dënim të gjatë me burg për secilin prej tyre.

Prokurori Alan Tieger, nga ana tjetër, u ndal në detaje mbi veprimtarinë e UÇK-së gjatë viteve 1998–1999, duke pretenduar se civilë janë rrëmbyer, ndaluar dhe keqtrajtuar në zona të ndryshme të Kosovës. Ai përmendi raste konkrete në Llapushnik, Rahovec, Qirez të Drenicës dhe Bajgorë, ku, sipas Prokurorisë, persona të dyshuar si bashkëpunëtorë ose kundërshtarë politikë janë ndaluar, dhunuar apo vrarë.

Sipas Tieger, komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së tregojnë se persona të etiketuar si “bashkëpunëtorë” nuk konsideroheshin civilë dhe nuk gëzonin mbrojtjen që u takon atyre sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ai citoi disa deklarata dhe njoftime të asaj kohe, ku përmendeshin masa ndëshkuese, përfshirë edhe dënime me vdekje ndaj individëve të cilësuar si tradhtarë.

Prokuroria paraqiti gjithashtu pretendime mbi rolin dhe pozicionin e secilit prej të akuzuarve brenda strukturave të UÇK-së. Sipas saj, Thaçi, Veseli dhe Selimi përshkruheshin si figura kyçe dhe “burra të fortë” të UÇK-së, ndërsa Krasniqi, si zëdhënës, kishte rol të rëndësishëm në komunikimin publik dhe politik të organizatës. Prokuroria argumentoi se vendimmarrja brenda UÇK-së bëhej në mënyrë kolektive dhe se drejtuesit kishin dijeni për krimet e kryera në terren.

Deklaratat përmbyllëse pritet të përfundojnë më 18 shkurt 2026. Sipas kalendarit të gjykatës, pas fjalës së Prokurorisë do të pasojnë deklaratat e përfaqësuesve të viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të secilit prej të akuzuarve, si dhe përgjigjet finale dhe fjalët e fundit të vetë të akuzuarve.

Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se më 24 shkurt 2026 pritet të nisë një proces tjetër gjyqësor ndaj Thaçit dhe disa personave të tjerë, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Aktakuza aktuale ndaj ish-krerëve të UÇK-së u dorëzua më 27 shkurt 2023 dhe përfshin pretendime për arrestime të paligjshme, tortura, zhdukje dhe vrasje në zona të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, përfshirë Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec. Prokuroria i atribuon përgjegjësinë krerëve të UÇK-së mbi bazën e përgjegjësisë komanduese, duke pretenduar se ata kishin dijeni për krimet dhe nuk ndërmorën masa për t’i parandaluar.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe kanë selinë në Hagë. Ato hetojnë krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2000. Deri tani, në këtë gjykatë janë dhënë disa vendime, përfshirë dënimet ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, me masa të ndryshme burgimi pas proceseve në shkallë të parë dhe apel.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit