Transmetuar më 09-02-2026, 10:55

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) mban sot, në orën 12:00, seancën paraprake për çështjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Trupa gjykuese pritet të shpallë vendimin nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim.

Në seancën e kaluar, të zhvilluar më 2 shkurt, gjyqtarja Etleva Deda mbylli shqyrtimin paraprak të çështjes dhe caktoi datën 9 shkurt për shpalljen e vendimit. Seanca u shoqërua me debate, pasi Veliaj dhe avokatja e tij mbrojtëse, Valentina Teodoresku, kërkuan shtyrje të procedurës, duke argumentuar se nuk janë njohur ende me të gjithë materialin hetimor.

Ndërkohë, të premten u rrëzua kërkesa e kryebashkiakut për përjashtimin e gjyqtares Deda nga çështja, çka bën që pikërisht ajo të shpallë sot vendimin përfundimtar lidhur me kalimin ose jo të dosjes në gjykim.

Arrestimi i Veliajt

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua më 10 shkurt 2025 në ambientet e Bashkisë së Tiranës, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në nëntë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave private”.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është lënë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nga të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak rezulton se Veliaj dhe bashkëshortja e tij dyshohet se kanë ideuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm për përfitime të parregullta nga fondet publike të administruara nga Bashkia e Tiranës, me qëllim pasurimin personal dhe familjar, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit