

Autoritetet policore greke thanë sot se kanë zbardhur ngjarjen në Evritani ku një burrë pa kokë u gjet në humnerë. Ata sugjerojnë se kemi të bëjmë me një aksident.
Sipas hetimit, burri i gjetur pak metra larg makinës së tij është identifikuar. Ai është 59 vjeç, banor i fshatit Tornos në rajonin e Evritanisë në Greqi, raporton noa.al.
Policia tha se kemi të bëjmë me një aksident. Në rrugën që shikoni në pamjet foto dhe video, makina ka dalë nga kontrolli duke përfunduar 300 metra poshtë saj në greminë ku është përplasur me shkëmbinj.
Kjo, thotë policisë, ka shkaktuar vdekjen e 59 vjeçarit.
Më herët policia lokale kishte pohuar se burri u gjet i zhveshur, pa rroba dhe pa kokë.
Në një përditësim sot paradreke, policia tha se gjeti edhe kokën e të ndjerit, por ajo ishte tejet e dëmtuar.
Dëshmia okulare
Për shoferin që ra në humnerë pranë Manastirit të Prousos, ka dalë një dëshmitar. Shoferi i një autobusi turistik tha se pasditen e së dielës (8 shkurt 2026), pranë Manastirit të Shenjtë të Prousos, pa një makinë të binte në greminë.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti që drejtonte viktima doli nga rruga në një nga kthesat e rrezikshme përballë Manastirit dhe përfundoi në një humnerë rreth 300 metra të thellë.
Dëshmitarë okularë, përfshirë pelegrinë dhe shoferin e autobusit turistik që ndodhej në parkimin e Manastirit, njoftuan menjëherë autoritetet.
Pelegrinët që ishin në vendngjarje deklaruan se panë automjetin ngjyrë argjendi të dilte nga rruga dhe të përfundonte në humnerë, duke njoftuar menjëherë autoritetet.
Shërbimi Zjarrfikës i Karpenisit reagoi shpejt, duke organizuar një operacion të gjerë shpëtimi në një terren jashtëzakonisht të vështirë. Në operacion u angazhuan 32 zjarrfikës, ndërsa në vendngjarje ndodhej që në orët e para edhe drejtuesi i Shërbimeve Zjarrfikëse të Evritanisë, Jani Arapi, i cili koordinoi të gjitha veprimet.
Zjarrfikësit arritën të lokalizonin trupin e 59-vjeçarit pak metra larg mbetjeve të automjetit. Me përdorimin e barelës dhe litarëve, trupi u nxor në rrugë dhe iu dorëzua një ambulance, e cila e dërgoi në morg. Gjendja e trupit ishte shumë e rëndë, çka, sipas autoriteteve, lidhet drejtpërdrejt me rënien nga një lartësi kaq e madhe.
Pavarësisht errësirës, kërkimet vijuan gjatë natës me ndihmën e dronit “IKAROS” nga Larisa. Me zbardhjen e ditës, u lokalizua edhe targa e automjetit, çka çoi në një tjetër operacion të vështirë zbritjeje nga ekipet e EMAK-ut për identifikimin e plotë të mjetit, i cili ishte shndërruar në një masë pa formë për shkak të përplasjes së fortë.
Hetimet kishin si objektiv kryesor përjashtimin e mundësisë që në automjet të kishte pasur edhe persona të tjerë. Sipas vlerësimeve të deritanishme të policisë, 59-vjeçari ishte i vetëm në makinë, megjithatë autoritetet kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme për ta konfirmuar plotësisht këtë version.
Zëdhënësja e Policisë Greke, Konstandia Dimoglidou, deklaroi se rënia ka ndodhur nga një lartësi shumë e madhe dhe se po hetohet nëse bëhet fjalë për një aksident apo për rrethana të tjera. Ajo theksoi se gjendja e trupit justifikohet nga rënia dhe se deri tani nuk ka indicie për veprimtari kriminale, ndërsa hetimet do të përfundojnë pas analizave të plota.
Hetimi do të vijojë nga Komisariati i Karpenisit, ndërsa trupi i viktimës do t’i nënshtrohet ekzaminimit mjekoligjor në Shërbimin e Mjekësisë Ligjore të Greqisë Qendrore, në Lamia.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






