Transmetuar më 09-02-2026, 07:39

Shqipëria dhe “Diella” mbeten jashtë fazës së parë të financimeve

Bashkimi Europian ka përfshirë Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrjetin europian të infrastrukturës së inteligjencës artificiale, duke i mbështetur me financime direkte për ndërtimin e qendrave kombëtare të IA dhe integrimin në ekosistemin europian të superkompjuterëve.

Sipas hartës dhe listës së projekteve të publikuara nga Komisioni Europian, Shqipëria nuk përfiton financim në këtë fazë të programeve, pavarësisht se prej qershorit të vitit të kaluar është pjesë e rrjetit europian të superkompjuterëve EuroHPC. Kjo ndodh në një kohë kur vendi ka promovuar publikisht krijimin e një ministrie të Inteligjencës Artificiale, të pagëzuar “Diella”.

Serbia dhe Maqedonia e Veriut pjesë e “AI Factory Antennas”

Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë në dy projekte të tipit “AI Factory Antennas”, të cilat shërbejnë si porta rajonale drejt infrastrukturës europiane të inteligjencës artificiale.

Serbia: 3.8 milionë euro për projektin SAIFA

Serbia do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro financim nga Bashkimi Europian për projektin SAIFA (Serbian Artificial Intelligence Factory Antenna), një platformë kombëtare për zhvillimin dhe testimin e inteligjencës artificiale.

Projekti synon krijimin e një hub-i kombëtar që do t’u japë institucioneve publike, universiteteve, start-up-eve dhe industrisë akses në:

burime kompjuterike të avancuara,

mjete dhe platforma IA,

databaza,

ekspertizë teknike.

SAIFA do të jetë pjesë e rrjetit europian të AI Factories dhe do të lidhet me qendrat PHAROS në Greqi dhe IT4LIA në Itali, duke mundësuar zhvillimin dhe testimin e zgjidhjeve të IA në shkallë europiane. Projekti synon mbështetjen e sektorëve si shëndetësia, energjia, mjedisi dhe teknologjitë gjuhësore.

Maqedonia e Veriut: Projekti “Vezilka”, rreth 6 milionë euro

Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, qendra kombëtare e inteligjencës artificiale, me një vlerë totale rreth 6 milionë euro. Projekti bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian përmes programeve Horizon Europe dhe EuroHPC, së bashku me qeverinë dhe partnerë vendorë.

Qendra synon të lidhë universitetet, institucionet shtetërore dhe industrinë me rrjetin europian të inteligjencës artificiale dhe do të funksionojë si nyje e lidhur me Pharos AI Factory në Greqi. Ajo do t’u ofrojë institucioneve publike, kompanive dhe start-up-eve akses në superkompjuterë dhe databaza europiane.

Autoritetet maqedonase theksojnë se projekti synon integrimin e vendit në rrjetin europian të IA dhe krijimin e mundësive të reja për kërkim shkencor, inovacion dhe zhvillim të industrisë teknologjike.

Qëllimi i projekteve: akses për start-up-et dhe kërkimin shkencor

Në të dy rastet, projektet synojnë t’u japin start-up-eve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) dhe komunitetit shkencor akses në burime të avancuara, të cilat zakonisht janë të disponueshme vetëm për kompanitë e mëdha teknologjike.

Iniciativa europiane e AI Factories

Projektet janë pjesë e iniciativës më të gjerë të Bashkimit Europian për AI Factories, e cila synon ndërtimin e një infrastrukture industriale të inteligjencës artificiale në Europë. Qëllimi është bashkimi i superkompjuterëve, qendrave të të dhënave, universiteteve dhe industrisë për të rritur konkurrueshmërinë globale të ekonomisë europiane.

Paralelisht, BE ka zhvilluar konceptin e AI Factory Antennas, struktura kombëtare ose rajonale që shërbejnë si pika lidhëse me AI Factories. Këto u mundësojnë vendeve që nuk kanë superkompjuterë të tyre akses në kapacitetet europiane të IA, databaza dhe ekspertizë teknike. Financimi për një antenë mund të arrijë deri në 5 milionë euro, në varësi të projektit dhe bashkëfinancimit kombëtar.

Investimet europiane në inteligjencën artificiale

Në periudhën 2021–2027, investimet në superkompjuterë dhe AI Factories pritet të arrijnë rreth 10 miliardë euro, përmes EuroHPC dhe programeve të lidhura.

Në të njëjtën kohë, iniciativa InvestAI synon të mobilizojë deri në 200 miliardë euro investime publike dhe private në inteligjencën artificiale, përfshirë një fond prej rreth 20 miliardë eurosh për ndërtimin e “AI gigafactories” – qendra shumë të mëdha për trajnimin e modeleve të avancuara të IA, citon Monitor.

Në total, rrjeti i parë i AI Factories dhe AI Factory Antennas ka angazhuar mbi 2.6 miliardë euro, përfshirë rreth 55 milionë euro financim direkt nga BE për antenat, si dhe bashkëfinancim nga shtetet pjesëmarrëse.

Në qershor 2025, Shqipëria u bë zyrtarisht vendi i 36-të që iu bashkua EuroHPC Joint Undertaking, rrjetit më të fuqishëm të superkompjuterëve në Europë. Megjithatë, sipas fazës aktuale të financimeve, vendi nuk është përfshirë ende në projektet e AI Factory Antennas.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit