

Procedura dhe dokumentacioni që duhet dorëzuar
Administrata Tatimore ka hapur aplikimet për përfitimin e kompensimit të shpenzimeve për arsimin e fëmijëve, për të gjithë individët që kanë plotësuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave (DIVA) dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, pas zbritjes së shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë ose deri në 100 mijë lekë në vit.
Si aplikohet për herë të parë për kompensimin e arsimit
Administrata Tatimore sqaroi për “Monitor” se aplikimi kryhet përmes sistemit e-Filing online. Pas dorëzimit të kërkesës, shuma e kompensimit do të transferohet në llogarinë bankare të deklaruar nga aplikuesi.
Pas plotësimit të DIVA 2025, individët që rezultojnë me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët, mund të nisin procedurën e aplikimit për rimbursim.
Procedura e aplikimit hap pas hapi
Pas hyrjes në sistemin e-Tax, aplikuesi duhet të ndjekë këto hapa:
Të klikojë mbi modulin eFiling IM;
Të zgjedhë Çështjet e mia dhe të krijojë një çështje të re;
Në rubrikën Lloji i Çështjes, të përzgjedhë opsionin Pyetje të Përgjithshme;
Të plotësojë kërkesën për rimbursim, duke iu referuar vlerës së tatimit të mbipaguar të shfaqur në DIVA.
Shembull i kërkesës:
Kërkesë për rimbursim: “Kërkoj rimbursimin nëpërmjet llogarisë sime bankare të shumës së tatimit të mbipaguar në vlerë 6,240 lekë, sipas DIVA 2025.”
Dokumentacioni që duhet bashkëngjitur (në format PDF)
Dokument me të dhënat e llogarisë bankare personale (IBAN);
Certifikata familjare;
Dokumentacion që vërteton shpenzimet për arsimin e fëmijëve, përfshirë:
kontrata me institucionet arsimore;
fatura pagesash për shkollim;
fatura për kurse apo gjuhë të huaja.
Administrata Tatimore bëri të ditur se procedura e aplikimit do të sqarohet edhe përmes një video-udhëzuese.
Sa është vlera e kompensimit
Vlera e kompensimit ndryshon në varësi të nivelit të të ardhurave vjetore dhe numrit të fëmijëve në ngarkim.
Për individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit dhe një fëmijë në ngarkim, kompensimi për arsimin është rreth 62 euro në vit.
Për individët me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit dhe dy fëmijë nën 18 vjeç, kompensimi arrin rreth 12 mijë lekë.
Për individët që paguhen mbi 200 mijë lekë në muaj dhe tatohen me 23%, kompensimi është 11,040 lekë për fëmijë.
Shuma maksimale e kompensimit, rreth 250 euro, përfitohet nga individët me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit, që përfshijnë zbritjen maksimale prej 100 mijë lekësh për arsimin.
Afatet
Sistemi për plotësimin e DIVA u hap më 22 janar.
Afati për dorëzimin e DIVA është 31 mars.
Afati për aplikim për kompensim është deri në 3 muaj pas dorëzimit të DIVA.
Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi e-Tax, pas deklarimit të të ardhurave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






