

GREQI – Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës është regjistruar këtë të shtunë në Greqi, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga një shkëmb me thellësi rreth 300 metra.
Sipas mediave greke, për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke përfunduar në një humnerë të thellë. Për shkak të terrenit të vështirë, në operacionin e shpëtimit u angazhuan rreth 31 zjarrfikës, të cilët punuan për disa orë për të arritur automjetin dhe për të nxjerrë trupin e shoferit.
Fatkeqësisht, drejtuesi i mjetit u nxor pa shenja jete, ndërsa nuk raportohet për persona të tjerë të përfshirë në aksident.
Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, përfshirë verifikimin e kushteve të rrugës, shpejtësisë së lëvizjes dhe mundësisë së një defekti teknik apo faktorëve të tjerë që mund të kenë çuar në këtë aksident fatal.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik lokal, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët malore dhe segmentet me rrezikshmëri të lartë.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






