Transmetuar më 08-02-2026, 21:18

Platforma “Liria ka Emër” ka bërë thirrje për një protestë madhore më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një konferencë për media, përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, u bëri thirrje kryetarëve të komunave në Kosovë – përfshirë ata që tashmë kanë shprehur gatishmëri – që t’i bashkohen marshit qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë”.

Sipas Tashollit, Kosova ndodhet në një moment vendimtar, pasi më 9 shkurt nis faza përfundimtare e gjykimit në Hagë, e cila, siç theksoi ai, ka rëndësi jo vetëm juridike, por edhe morale, historike dhe politike për vendin.

“Jemi në javën e fundit para një vendimi historik. Kjo nuk është thjesht një çështje procedurale, por java kur fjala e fundit po afrohet dhe kur Kosova po shihet dhe po gjykohet në sytë e botës. Në këto momente, heshtja nuk është neutralitet, por mungesë qëndrimi”, deklaroi Tasholli.

Ai shtoi se mbështetja institucionale e komunave për këtë protestë përbën një dëshmi të qartë se çështja e ish-krerëve të UÇK-së po trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi kombëtare.

Platforma “Liria ka Emër” ftoi gjithashtu qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në protestë, duke e cilësuar atë si marshin më të madh qytetar, paqësor dhe dinjitoz që është organizuar ndonjëherë në vend.

“Ky nuk është një marsh kundër dikujt, por një marsh për dinjitetin e Kosovës, për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë”, theksoi Tasholli.

Gjatë vitit të kaluar janë organizuar pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup, ku mijëra shqiptarë kanë protestuar me thirrjet “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Protesta e 17 shkurtit do të mbahet në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në prag të nisjes së fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit