

Të hënën nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregon se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.
“Jemi në fazën përfundimtare sepse fjalët përfundimtare të palëve në këtë procedurë shënojnë edhe përfundimin e procedurës.
Natyrisht, në fjalën përfundimtare, si prokuroria si mbrojtja do t’i përmbledh faktet dhe provat, secila për ta mbrojtur pozicionin e vet. Fillimisht do të startojë prokuroria, pastaj mbrojtja.
Ekziston një aktvendim i gjykatës ku në mënyrë të qartë përcaktohen edhe detajet.
Në atë aktvendim thuhet se prokuroria do t’i ketë tetë orë, ndërsa secili ekip mbrojtës nga katër orë e gjysmë. Edhe të pandehurit do t’i kenë nga 20 minuta për t’i drejtuar gjykatës.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje.
Trupi gjykues sipas vendimmarrjes i ka tre muaj që të marrë vendim, mirëpo nëse trupi gjykues e vlerëson se i duhet më shumë kohë, trupi gjykues mund të kërkojë nga kryetarja e gjykatës që afati për marrjen e vendimit të vazhdohet”, ka thënë Çerkini.
Blendina Veliçi, e cila është monitoruese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se ky proces ka qenë i stërzgjatur.
“Ky rast është zgjatur tej mase, e kemi thënë edhe ne si IKD që edhe paraburgimi ndaj tyre për pesë vite ka qenë i paarsyeshëm sepse ata vet u janë dorëzuar drejtësisë. Megjithatë mund të themi se në këtë rast janë administruar një numër i madh i provave, janë dëgjuar një numër i madh i dëshmitarëve. Megjithatë, ne presim që trupi gjykues të bëjë vlerësimin e duhur të secilës provë dhe të secilit dëshmitar, në mënyrë që të reflektohet pastaj edhe në vendimin final”, shprehet ajo.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërkohë që në Prishtinë në 17 shkurt pritet të mbahet një protestë në mbështetje të tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






